Shumica e bimëve mund të rikuperohen, nëse reagoni me kohë dhe bëni disa ndryshime të thjeshta në kujdes. Bimët komunikojnë përmes ndryshimeve në gjethe. Nëse zbehen, thahen apo kanë skaje të errëta, kjo tregon se diçka ka dalë nga ekuilibri; mund të jetë tepricë uji, mungesë drite, ajër shumë i thatë apo pleh i tepërt. Kur mësoni t’i lexoni këto shenja, do të mund të parandaloni dëmtimin para se të jetë vonë. Rrënja është zemra e çdo bime. Nxirreni me kujdes nga vazoja dhe shikoni gjendjen e saj. Nëse rrënjët janë të errëta dhe të buta, bima po kalbet, përcjell TAR.
Pritni pjesët e dëmtuara me gërshërë të sterilizuara dhe mbilleni në dhe të thatë e ajrosur. Nëse rrënjët janë të thata dhe të brishta, bima ka etje. Zhytni vazon në ujë të vakët për 15 minuta, pastaj lëreni të kullojë. Kjo ndërhyrje e parë shpesh bën diferencën mes një bime që ringjallet dhe asaj që humbet përgjithmonë. Gabimi më i madh që bëjnë adhuruesit e bimëve është ujitja e tepërt. Shumica e bimëve të shtëpisë nuk vdesin nga thatësira, por nga uji i tepërt. Prandaj, gjithmonë kontrolloni tokën me gisht, nëse 2 centimetrat e sipërm janë të thatë, është koha për të ujitur. Përdorni ujë në temperaturë ambienti dhe mos lini kurrë tepricë në substrat. Rrënjëve nuk u pëlqen të “qëndrojnë në ujë”.

Bimët duan stabilitet. Nëse gjethet zgjaten drejt dritares, mungon drita. Nëse skajet thahen e bëhen kafe, ndoshta janë shumë afër ngrohësit. Vendi ideal është një deri në dy metra larg dritares së kthyer nga lindja ose perëndimi, ku ka dritë të butë e të shpërndarë, por jo diell të drejtpërdrejtë. Gjatë sezonit të ngrohjes, ajri në shtëpi bëhet shumë i thatë dhe kjo shkakton tharje të gjetheve. Vendosni një enë me ujë pranë bimës ose grupojini disa bashkë për të krijuar një mikroklimë. Edhe më mirë, spërkatini herë pas here me ujë të butë dhe të qëndrueshëm. Kjo jo vetëm që i freskon, por edhe ul stresin që vjen nga thatësia e ajrit.
Nëse gjethet zverdhen dhe bima nuk rritet, mund të ketë mungesë të lëndëve ushqyese. Në stinën e rritjes (pranverë dhe verë) përdorni pleh të lëngshëm të lehtë çdo dy deri në tre javë. Por kini kujdes, nëse në sipërfaqen e tokës shfaqen shtresa të bardha kripe, kjo do të thotë se toka është mbingopur. Në këtë rast, shpëlani rrënjët me ujë dhe zëvendësoni pjesërisht dheun para se të plehëroni sërish. Nëse keni reaguar si duhet, pas disa javësh do të vini re fidane të rinj dhe gjethe më me shkëlqim, shenjë që bima po ringjallet. Nuk keni pse të jeni ekspert për ta shpëtuar një bimë, mjafton ta vëzhgoni, ta kuptoni dhe t’i jepni vëmendje. /Katror.info











