15:52 – E përditësuar:
Kryetari i deritanishëm i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka konfirmuar dorëheqjen e tij nga drejtimi i partisë përmes një konference për media.
Në fjalën e tij, Krasniqi shprehu falënderim për të gjithë ata që e kanë mbështetur gjatë mandatit të tij.
“Vetëm dua t’ju them shumë faleminderit të gjithëve – çdo votuesi, çdo personi. Faleminderit të gjithë miqve dhe bashkëpunëtorëve që kanë qenë gjithmonë pranë meje,” tha Krasniqi.
Ai theksoi se ndonëse po largohet nga posti i kryetarit, mbetet krenar për punën e bërë dhe beson se PDK-ja do të vazhdojë e fortë dhe në duar të sigurta.
“Unë largohem nga detyra me mirënjohje dhe me krenari, me paqe në shpirt. PDK do të mbetet në duar të sigurta. Siç e ka thënë presidenti i parë, kjo nuk është lamtumirë, por vetëm mirupafshim, sepse kjo është shtëpia ime e dytë,” tha ai.
Dorëheqja e Krasniqit vjen pas disa ditësh diskutimesh brenda strukturave të partisë, ndërsa Bedri Hamza pritet të marrë drejtimin e PDK-së në ditët në vijim.
***
Memli Krasniqi dorëhiqet nga posti i kryetarit të PDK-së, ushtrues detyre Bedri Hamza
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka ofruar dorëheqje nga posti i kryetarit, të cilët pritet ta konfirmojë Këshilli i Përgjithshëm i PDK-së.
Ushtrues detyre i kryetarit të kësaj partie pritet të jetë Bedri Hamza, i cili ka qenë kandidat për kryeministër nga radhët e kësaj partie.
Krasniqi u zgjodh kryetar në vitin 2021, pas dorëheqjes së Kadri Veselit, të cilit Dhomat e Specializuara i konfirmuan aktakuzën për krime lufte dhe kundër njerëzimit.
Për gati 17 vjet, timonin e PDK-së e mbajti Hashim Thaçi – një prej figurave kryesore të skenës politike – i cili, gjithashtu, ndodhet në paraburgim në Hagë të Holandës.
Ndryshe, vendimi i Krasniqit për t’u tërhequr erdhi pas raundit të dytë të zgjedhjeve lokale, ku PDK-ja doli më dobët se pritej, duke humbur kontrollin mbi tri komuna.
/AP/Katror.info
















