Zjarrfikësit kinezë mund të pajisen së shpejti me robotë katërkëmbësh të krijuar për të ndërhyrë aty ku rreziku për njerëzit është tepër i lartë.
Kompania Unitree Robotics ka zhvilluar modelin “B2 Fire Rescue”, një robot i specializuar që kombinon lëvizjen autonome me komandimin nga distanca.
“B2 Fire Rescue” është projektuar të spërkasë ujë dhe shkumë, të transmetojë video në kohë reale dhe të funksionojë si zbulues zjarri në situata ekstreme.
Ai është menduar të përdoret në raste kur ndërhyrja njerëzore është shumë e rrezikshme ose e pamundur.
Gjatë testimeve në Sichuan, roboti u pajis me një zorrë me presion të lartë dhe me sukses drejtoi rrezen e ujit drejt burimit të flakëve.
Operimi u krye tërësisht nga distanca, duke i mbajtur zjarrfikësit larg rrezikut.
Modeli i ri është cilësuar si një hap i rëndësishëm drejt modernizimit të operacioneve të shpëtimit, falë stabilitetit dhe qëndrueshmërisë së tij.
Unitree Robotics beson se përdorimi i robotëve të tillë mund të reduktojë rrezikun për zjarrfikësit.
Në rrjetet sociale kineze, roboti ka tërhequr vëmendje të madhe.
Ndërsa shumë e shohin si një arritje të rëndësishme teknologjike që mund të shpëtojë jetë, të tjerë mbeten të rezervuar, duke pyetur nëse pajisja mund të përballojë vërtet sfidat e misioneve realisht të vështira. /AP/Katror.info
















