Këngëtarja britanike Adele, fituese e shumë çmimeve “Grammy”, do të debutojë në kinematografi me filmin e ri të regjisorit dhe stilistit të njohur Tom Ford, një adaptim i romanit të Anne Rice “Cry To Heaven” të vitit 1982.
Sipas Deadline, projekti do të mbledhë një kast yjesh ku përfshihen Nicholas Hoult, Aaron Taylor-Johnson, Paul Bettany, Colin Firth, Daryl McCormack, Thandiwe Newton, Ciarán Hinds, George MacKay, Hunter Schafer dhe aktori i ri britanik Owen Cooper, i cili u vlerësua me Emmy për rolin e tij në serialin e Netflix “Adolescence”, shkruan TP.
Ky do të jetë roli i parë filmik për autoren e hiteve si “Someone Like You” dhe “Hello”, e cila prej vitesh ka shprehur dëshirën për të provuar aktrimin. Ajo kishte pranuar se videoja e saj muzikore “Hello”, e realizuar nga regjisori Xavier Dolan, e kishte frymëzuar të mendonte seriozisht për një karrierë në film.
Në një intervistë të vitit 2023 për The Hollywood Reporter, Adele kishte pohuar me humor se “ka vetëm një film që do ta bënte, por regjisori ende s’është gati ta shkruajë skenarin”. Megjithatë, burime pranë këngëtares kanë treguar se ajo ka marrë mësime aktrimi vitet e fundit, duke përgatitur terrenin për këtë hap të ri në jetën e saj artistike.
Filmi “Cry To Heaven”, që pritet të nisë xhirimet në vitin 2026, do të shënojë kthimin e Tom Ford në regji pas suksesit të “A Single Man” dhe “Nocturnal Animals”. /Katror.info











