Mbrëmë u hap zyrtarisht Prishtina Jazz Festival, një prej ngjarjeve më të rëndësishme kulturore në vend, me një ceremoni të veçantë në Amfiteatrin e ri të Bibliotekës Universitare.
Publiku pati rastin të shijojë një performancë mbresëlënëse nga Arben Ramadani në piano dhe Javid Ardani në instrumentin tradicional Ney. Harmonia mes tingujve modernë të pianos dhe frymës mistike të Ney-it krijoi një atmosferë të thellë shpirtërore, duke shënuar një hapje të paharrueshme të festivalit.
Ky edicion sjell një program të pasur që bashkon kultura, stile dhe emocione, duke ofruar një platformë për artistë vendas e ndërkombëtarë të xhazit.

I themeluar në vitin 2005, Prishtina Jazz Festival është shndërruar në një pikëtakim të rëndësishëm për skenën ndërkombëtare të xhazit, duke tërhequr çdo vit artistë dhe adhurues nga e gjithë bota.
Festivali do të vazhdojë deri më 15 nëntor, duke premtuar mbrëmje të jashtëzakonshme muzikore për publikun./Kultplus/Katror.info











