Nga 10 deri më 13 nëntor, në ambientet e Bundeswehr-it në Berlin, është mbajtur takimi vjetor bilateral ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës dhe Forcave të Armatosura të Gjermanisë, në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet dy vendeve në fushën e mbrojtjes.
Qëllimi i takimit ishte planifikimi i aktiviteteve të përbashkëta për dy vitet e ardhshme, përfshirë programet e shkollimeve ushtarake dhe përforcimin e kapaciteteve të bashkëpunimit profesional midis institucioneve ushtarake të të dyja shteteve.
Delegacioni kosovar u përfaqësua nga drejtori i Departamentit për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Integrime Euroatlantike në Ministrinë e Mbrojtjes, kolonel Ahmet Ajeti, zyrtarja për bashkëpunim bilateral, Edona Abazi Zylfijaj, nënkolonele Vjosa Maloku nga Shtabi i Përgjithshëm i FSK-së, atasheu i mbrojtjes në Gjermani, kolonel Bekim Zejnullahu dhe nënkolonel Xhevdet Muriqi.
Thellimi i bashkëpunimit me Bundeswehr-in vlerësohet si një mbështetje thelbësore për avancimin profesional të Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke dëshmuar partneritetin e ngushtë dhe të qëndrueshëm mes Kosovës dhe Gjermanisë në fushën e mbrojtjes./Katror.info











