Erëza Suka, vajza e ish-futbollistit të njohur të Ballkanit dhe Shkëndijës së Tetovës, Bekim Suka, po ngjitet me hapa të sigurt në skenën e muzikës gjermane. Me origjinë nga Suhareka, por e lindur e rritur në Perëndim, ajo po dëshmon talent të jashtëzakonshëm në spektaklin prestigjioz “The Voice of Germany”.
Në paraqitjen e saj të fundit, Erëza bindi jurinë me interpretimin e fuqishëm dhe siguroi një vend vendimtar në garë. Sot, ajo përballet me një sfidë të re, e cila nëse e kalon me sukses, do ta dërgojë drejt gjysmëfinales së madhe, përcjellë KultPlus.
Në këtë fazë të garës mbeten vetëm 16 konkurrentë, përfshirë tetë këngëtarë të afirmuar me karrierë të konsoliduar, çka e bën garën edhe më të fortë.
Mbështetja për Erëzën është rritur ndjeshëm, sidomos nga komuniteti shqiptar në Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe diasporë, të cilët po e shohin atë si një përfaqësuese të denjë të talentit shqiptar në një prej skenave më të mëdha muzikore në Evropë.
Sot në mbrëmje pritet performanca e saj vendimtare, që mund ta çojë një hap më afër finales së “The Voice of Germany”. /Katror.info











