Nga Era Demiri
Një e diel pranë liqenit të qetë të Tiranës, një festival i jashtëzakonshëm i quajtur Beats N’Brunch k’naqi zemrat e të apasionuarve të muzikës elektronike. Kjo ngjarje e jashtëzakonshme, që zgjati 15 orë nga mesdita deri në orët e para të mëngjesit, ripërcaktoi konceptin e një aktiviteti të së dielës. Kombinimi i muzikës elektronike, energjia dhe dashnia e njerëzve me një atmosferë të gjallë hapi rrugën për një udhëtim shpirtëror që kapërceu realitetin.
Tash, me ju katrorista do ndajmë momentet magjike që përjetuam në festivalin Beats N’Brunch.
Festival i organizuar mes përqafimit të natyrës, ndërsa dielli ndriçonte buzë liqenit ku publiku u mirëprit nga një sërë kokteje magjepsëse, birra të ftohta e ushqime të këndshme. Elektronika ta mbushte shpirtin me kënaqësi.
Gjate natës kjo natyrë e qetë dhe e bukur u kthye ne ndriçim te laserëve shumë ngjyresh, duke hedhur një shkëlqim mbi pemët dhe natyrën përreth. Ndërveprimi i ngjyrave të gjalla neoni me bukurinë natyrore të liqenit krijoi një ambient të botës tjetër ku na çoi shumë larg realitetit.
E përveç bukurive natyrore, merita e ketyre 15 orëve u takon edhe DJ-ve vendës nga Kosova dhe Shqipëria siç ishin Lab.S, Bani D, Chriss V, Equinoxx, Liburn, Nyto, Silo, Teoh dhe Xhorxho, që ofruan stilin unik të zhanreve të tyre, dhe DJ-ve ndërkombëtarë siç ishte AaNn. Çika nga Zvicra, AaNn me stilin e saj nga downtempo deri tek melodic techno dha emocione pafund gjatë natës, e përveç muzikës dhuroi edhe dashninë e saj për publikun shqiptar.
E për shqiptarët nuk u mbyll me kaq ky festival. Headliner i kësaj nate ishte Miss Monique nga Kievi i Ukrainës me nje famë botërore, ku arti i saj u përshtat pa problem me mjedisin, duke na udhëhequr në një udhëtim muzikor transformues.
Çka e veçoi Beats N’Bruch ishte energjia e thellë pozitive që përshkonte atmosferën. Çdo cep i festivalit dukej se rrezatonte me gjallërinë e ngjyrave neoni, çika e djem të pikturuar me neon, te veshur me ngjyra te ndezura, që u përshtatnin me ngjyrat e natyrës dhe frymën e muzikës duke përçu një dashni e gëzim në fytyrat e të gjithëve, t’uj kcy e pi me njoni- tjetrin.
Beats N’Brunch ishte më shumë se veç një festival, mundemi me i thonë një portë drejt një realiteti alternativ. Me kalimin e orëve, publiku kaloi në një dimension ku koha nuk ndikoi, shqetësimet u shpërndanë dhe euforia e njerëzve krijoi një natë të paharrueshme për të gjithë.
Beats N’Brunch edhe këtë vit ofroi një pushim të bukur larg qytetit dhe realitetit, për të krijuar një natë te paharrueshme përmes një udhëtimi bashkë me muzikën, dashnin’, enërgjine pozitive e kënaqësinë.
Kështu që Katrorista, herave tjera mos e humbni edicionin e ardhëshëm të këtij festivali! /Katror.info