Nga e hëna, deri në mbrëmjen e së mërkurës, kryetarja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, udhëtoi nëpër gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor, rajon që synon t’i bashkohet një ditë bllokut evropian.
Në pjesën më të madhe të shteteve, von der Leyen foli për rëndësinë e anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE) dhe për rrugën që kanë bërë ato drejt tij.
Për përparim në këtë rrugë, Kosova, tha ajo, duhet të ketë institucione të forta, t’i ulë tensionet dhe t’i bëjë hapat e nevojshëm për të përfituar nga Plani i Rritjes – paketë në vlerë prej 6 miliardë eurosh, që synon përshpejtimin e rrugës së shteteve të rajonit në BE.
Kosovës i kanë rënë hise rreth 900 milionë euro – që do të thotë se për kokë banori është përfituesja më e madhe e këtyre mjeteve.
Rikard Jozwiak, redaktor për Evropën i Radios Evropa e Lirë (REL), beson se komentet e von der Leyenit në rrjetin social X thjesht i pasqyrojnë prioritetet e Brukselit në Ballkanin Perëndimor, dhe se aty Kosova shihet se është e vendosur fort në prapaskenë.
“Nuk po ecën përpara siç kanë bërë Mali i Zi dhe Shqipëria, nuk është një prioritet gjeostrategjik dhe ekonomik siç është Serbia, pavarësisht belave të saj”.
Augustin Palokaj, gazetar që përcjell politikat e BE-së, thotë për REL-in se vlerësimi i zyrtares evropiane është i saktë, dhe se nuk është fshehtësi që raportet e KE-së me Kosovën nuk janë të mira dhe të rregullta.
“Kosova nuk ka fare institucione me legjitimitet të plotë, që do të kishin dalë nga zgjedhjet që janë zhvilluar qysh në muajin shkurt”.
Kjo situatë, sipas tij, e ka dëmtuar më pas Kosovën në procesin e sigurimit të fondeve nga Plani i Rritjes, ndonëse vendi ka qenë ndër të parët që e ka miratuar agjendën e reformave, një proces që Bosnje e Hercegovina nuk e ka finalizuar ende.
Kosova ka arritur ta konstituojë Kuvendin, tetë muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare. Në mungesë të tij, vendi nuk mundi ta ratifikonte marrëveshjen që do të mundësonte lëshimin e fondeve të BE-së. /REL
Artikulli i plotë kêtu.
















