Teatri i Gjilanit do të mirëpresë premierën e shfaqjes “Chatroom”, me autorin irlandez Enda Walsh dhe regjinë e Erson Zymberit, më 21 dhe 22 qershor, duke filluar nga ora 20:00.
Në njoftimin zyrtar të teatrit, shfaqja përshkruhet si një dramë therëse dhe urgjente, e cila eksploron errësirën psikologjike të adoleshencës moderne në epokën digjitale. “Chatroom” sjell rrëfimin e gjashtë adoleshentëve që takohen në një hapësirë virtuale, ku një bisedë e zakonshme shndërrohet në një lojë të rrezikshme mendore.
Regjisori Erson Zymberi sjell në skenë tensionin emocional dhe realitetin e fshehur pas ekraneve të ndritshëm, duke u fokusuar në ndikimin që fjalët – të shkruara e të papërballuara në kohë reale – mund të kenë në jetën e të rinjve. Në thelb, shfaqja është një pasqyrë e gjeneratës që rritet në izolim virtual dhe kërkon ndjeshmëri në një botë të ftohtë komunikimi.
“Chatroom” përbën një thirrje të qartë për ndërgjegjësim rreth fuqisë së komunikimit digjital dhe pasojave që mund të sjellë mungesa e kontaktit të vërtetë njerëzor.
Në këtë produksion interpretojnë aktorët: Elton Tahiri, Andi Bajgora, Fiona Abdullahu, Rinesa Behluli dhe Drin Berisha.
Shfaqja pritet të zgjojë debat e reflektim, veçanërisht mes të rinjve dhe prindërve, për sfidat që sjell jeta në epokën e internetit dhe rrjeteve sociale./Katror.info