Elon Musk, themeluesi i kompanisë SpaceX, ka konfirmuar se ka aktivizuar shërbimin satelitor Starlink në Iran, si reagim ndaj kufizimeve të vendosura në qasjen në internet.
Këto masa kufizuese u vendosën pas sulmeve ajrore izraelite që sulmuan objektet bërthamore iraniane.
“Sinjali është ndezur”, shkroi Musk në rrjetet sociale, duke konfirmuar aktivizimin e shërbimit në territorin iranian.
Ky veprim vjen pas njoftimit të Ministrisë së Komunikimit të Republikës Islamike, e cila bëri të ditur vendosjen e “kufizimeve të përkohshme” në internetin kombëtar, për shkak të “rrethanave të veçanta” në vend.
Si funksionon Starlink?
Starlink, projekti ambicioz i kompanisë SpaceX të Elon Musk, ofron internet me shpejtësi të lartë përmes një rrjeti të gjerë satelitësh në orbitë të ulët rreth Tokës.
Shfrytëzuesit marrin sinjalin përmes një pajisjeje të posaçme që lidhet drejtpërdrejt me satelitët e Starlink, duke mundësuar shërbim të qëndrueshëm pa nevojën për kabllo apo rrjete tokësore.
Falë potencialit të tij për të ofruar qasje në internet, Starlink është përdorur në situata emergjente dhe kriza, duke përfshirë rajone të goditura nga lufta apo fatkeqësitë natyrore.
Shpejtësia që ofron arrin deri në 250 Mbps, ndërsa vonesa teknike qëndron në nivelin 20–40 milisekonda, duke e bërë të përshtatshëm për të gjitha rrethanat. Me mijëra satelitë aktivë dhe me plane për të lëshuar dhjetëra mijëra të tjerë, Starlink po e formëson një realitet të ri të lidhjes globale.