Përmes një shkëmbimi letrash me Bashkimin Evropian, është zyrtarizuar vazhdimi i mandatit teknik të Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), shkruan Katror.info.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka nënvizuar se ky mandat është pa fuqi ekzekutive dhe do të fokusohet në monitorim, mentorim dhe këshilldhënie.
Në letrën drejtuar Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, znj. Kaja Kallas, Presidentja Osmani ka kërkuar që EULEX t’ua dorëzojë autoriteteve të Kosovës të gjitha dokumentet që posedon nga periudha kur kishte mandat ekzekutiv.
Gjithashtu, Presidentja ka kërkuar që çdo aktivitet i misionit të jetë në përputhje me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe me praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke theksuar rëndësinë e respektimit të standardeve ndërkombëtare në sundimin e ligjit./Katror.info