Pasuli padyshim asht dhe ka me mbetë nji prej ushqimeve t’preferume t’shumicës prej nesh, veçanarisht kur e mendojmë nji pjatë pasuli (gjellë) plot. E për gjellën e famshme ka metoda t’shumta t’përgatitjes, mirëpo për shumicën pasuli me mish asht “KING-u”. Ne s’po dojmë as me u shty me këtë gja, sepse, çka asht – asht. E listës t’5 super-recetave me pasul sot po ja shtojmë edhe 1 specialitet t’ri.
Fërgesa me pasul, spinaq e tomatina asht nji mënyrë ndryshe e përgatitunit t’pasulit e që mundet me ta ndrru përceptimin se qysh mundet me shiju e u gatu pasuli jashta metodave tradicionale t’përgatitjes. Biles, asht aq e kollajshme me u përgatitë, sa që vërtetë ja vlenë me e provu e me ja shtu menyve javore t’ushqimit, veçanarisht ditëve kur nuk ke durim me nejt’ para tenxheres për 2 a 3 orë rresht.
PËRBËRËSIT (servimi për 2):
300 gr pasul i bardhë (i konservum)
2 lugë gjelle vaj ullini
2 thelpinj hudhër (t’grira)
150 gr tomatina (t’prera n’gjysmë)
80 gr parmezan (i grirë)
1 lugë çaji kripë
1 lugë çaji biber i zi
1 grusht spinaq
HAPI 1:
Shto n’tigan vajin e ullinit dhe hudhrat e grira e kavërdisi ato për 3 minuta.
HAPI 2:
Shto tomatinat e kavërdisi ato për 3 minuta.
HAPI 3:
Shto pasulin e konservum bashk me gjysmën e ujit t’tyre n’tigan.
HAPI 4:
Shto erëzat dhe përzije masën mirë. Leje masën me u kavërdisë për 10 minuta e kohë pas kohe përzije.
HAPI 5:
Kur e sheh që po shterron uji, shto parmezanin e grirë dhe përzije masën mirë për 2-3 minuta..
HAPI 6:
Shto spinaqin dhe përzije masën.
HAPI 7:
Kavërdise masën për 3 minuta duke e përzi vazhdimisht. Largo tiganin prej shporetit dhe servo.
REZULTATI:
Servoje fërgesën n’pjatë e shoqnoje me tortilla t’pjekuna, bukë ose pitalka t’nxehta, apo edhe me krutonë (copëza buke bajate t’rreshkuna n’furrë).
E mbasi veç jemi tek recetat me pasul, mos e le pae provu çorbën me pasul dhe mish pule. Ndërkaq, masi veç jemi tek recetat me pulë, ne t’rekomandojmë me i përgatitë edhe shnicllet e pulës ose qoftet e pulës; 2 receta këto që kombinohn perfekt me patatet e mbushura me kashkavall, ose me perimet e pjekuna n’furrë. Shijo! /katror.info/