Një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të trajtimit dhe mirëqenies së kafshëve në Kosovë është ndërmarrë sot me nënshkrimin zyrtar të një Memorandumi Bashkëpunimi ndërmjet Fondacionit për të Drejtat e Kafshëve dhe Departamentit të Mjekësisë Veterinare në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë, Universiteti i Prishtinës, shkruan Katror.info.
Ky partneritet synon të avancojë qasjen humane dhe profesionale ndaj kafshëve përmes aktiviteteve të përbashkëta edukative dhe praktike. Memorandumi parasheh organizimin e seminareve dhe trajnimeve për studentët, profesionistët e fushës veterinare dhe qytetarët, si dhe zhvillimin e projekteve që kontribuojnë në mbrojtjen e kafshëve dhe përmirësimin e kushteve të tyre të jetesës.
Përmes kësaj marrëveshjeje, të dy institucionet zotohen të punojnë ngushtë për të ngritur ndërgjegjësimin publik dhe për të mbështetur iniciativat që kontribuojnë në ndërtimin e një shoqërie më të ndjeshme ndaj kafshëve.
“Ky bashkëpunim është një hap i madh drejt ndërtimit të një platforme të qëndrueshme që shërben si për edukimin profesional, ashtu edhe për kauzën tonë për drejtësi dhe mirëqenie për kafshët,” thuhet në njoftimin e Fondacionit për të Drejtat e Kafshëve.
Palët kanë shprehur falënderime të veçanta për përkushtimin e Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë dhe janë zotuar për vazhdimin e bashkëpunimit në projekte që do të kenë ndikim real në terren./Katror.info