Me fundvitin n’derë, vijnë edhe recetat e kësaj periudhe që nime ja shtojnë hijeshinë secilit ambient e e bajnë edhe ma festiv dhjetorin. Kështu receta sikurse mezja kurorë, çokollata e nxehtë e keksat me xhenxhefil janë vetëm disa nga recetat t’cilave ju vjen era “Fundvit”.
Keksat me gjalpë kikiriku dhe reçel, ose ndryshe botërisht t’njohuna si “PB Jam Thumbprint Cookies” janë nji prej ambëlsinave që nuk ish dashtë me mungu n’asnji tryezë fundviti, sepse, sikurse n’filmat e ndryshëm, këta keksa sa duken t’mirë, aq edhe shijojnë dhe ja shtojnë lezetin festave. E filozofi me i përgatitë nuk ka.
PËRBËRËSIT:
½ gotë gjalpë n’temperaturë dhome
¾ gotë gjalpë kikiriku
¼ gotë sheqer
¼ gotë sheqer i kafët
1 ve n’temperaturë dhome
1 lugë çaji ekstrakt vanille
1 e ¼ gotë miell
1 lugë çaji sodë buke / sodë bikardoni
½ lugë çaji kripë
½ gotë reçel dredhëze
HAPI 1:
Fillimisht nxeje furrë n’180 C dhe përgatiti 2 tepsi t’rrafshta me letër për pjekje. Pastaj n’nji enë t’thellë shto gjalpin e kikirikut dhe gjalpin e zbutun n’temperaturë dhome. Përziji mirë me mikser e ngadalë shto sheqerin deri sa t’krijohet nji masë kremoze (njilloj sikurse shllagu).
HAPI 2:
Shto miellin, vezën, kripën dhe sodën e bukës sipër masës me gjalpë. Përzije masën mirë dhe fillo krijo toptha e vendosi n’tepsi me letër.
HAPI 3:
Me fisht ose lugë formëso nga 1 vrimë n’mes t’topthave dhe sipër vrimës shto nga 1 lugë çaji reçel dredhëze. Nëse don, ti mundesh me përgatitë reçelin e dredhëzës vet, për 10 minuta. Njilloj vepro edhe me tepsinë tjetër dhe vendosi tepsitë n’furrë për 8-9 minuta. Largoji prej tepsisë, leji me u ftohë e servo.
REZULTATI:
Shijoji keksat me nji filxhan kafe a nji gotë qumësht, ruji dikund ku nuk ka lagështi. Kuptohet, nëse qëndrojnë aq gjatë pa u hangër. Ndërkaq, ne jemi t’bindun që kurrë ma shpejtë nuk ke me mbrri me përgatitë keksa, as ma t’shijshëm e as ma t’shëndetshëm sese këta. E ngjashëm, ti mundesh me i përgatitë edhe keksat klasik me gjalpë kikiriku, apo keksat prej tërrshanës, që poashtu i ke gati n’dakik, madje nuk ke nevojë me i pjekë hiç. Shijo! /katror.info/
Ky artikull është përgatit’ nga Kaltrina Zhushi. Për me pa receta të mira dhe te shëndetshme, mundeni me e vizitu blogun e saj në Instagram @gurmaneria