Kompozimet e mjeshtrit të madh, Ennio Morricone, të njohura botërisht për stilistikën e përdorur për kolonat zanore të mbi 500 filmave dhe serialeve televizive, do të vijnë në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit, më datën 5 qershor, me mbështetjen e Institutit Italian të Kulturës dhe Ambasadës Italiane.
Ky koncert do të zhvillohet në kuadër të Javës Kulturore Italiane, organizuar nga Ministria e Kulturës.
Shoqëruar mjeshtërisht nga Orkestra Simfonike dhe kori i TKOB-së, nën drejtimin e maestros Benedetto Montebello, dhe Dritan Lumshi, ky koncert simfonik do të përkujtojë një ndër kompozitorët më të shquar të 100 viteve të fundit.
Ennio Morricone vdiq 3 vjet më parë, në korrik të vitit 2020 në moshën 91-vjeçare.
Koncertin e fundit ai e dirigjoi në Palazzo Madama, disa muaj para se të ndërronte jetë. Më poshtë mund ta dëgjoni kolonën zanore të filmit të njohur “the Good, the Bad and the Ugly, te komponuar nga Ennio Morricone/Katror.info