Kryeqyteti do të jetë sërish përkrahës i Festivalit të Këngës, një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në vend, të organizuar nga Radio Televizioni i Kosovës (RTK). Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, përmes një postimi në rrjetet sociale, duke theksuar rëndësinë e këtij festivali në promovimin e vlerave artistike dhe në fuqizimin e identitetit kulturor, shkruan Katror.info.
Në këtë kuadër, kryetari Rama priti në takim drejtorin e RTK-TV, z. Rilind Gërvalla, me të cilin nënshkroi marrëveshjen për mbështetjen e edicionit të sivjetmë të festivalit.
“Ky akt simbolizon përkushtimin tonë ndaj një vizioni të qartë: një kryeqytet që e nxit dialogun artistik dhe e sheh artin si shtyllë thelbësore të zhvillimit shoqëror,” u shpreh Rama.
Ai shtoi se Prishtina synon të jetë një qytet që “frymon me art, ku kultura nuk është në margjinë, por në qendër”, duke rikujtuar rëndësinë e hapësirave që u jepen artistëve dhe krijimtarisë vendore.
Festivali i Këngës në RTK konsiderohet një platformë e rëndësishme për shprehjen autentike të muzikës dhe krijimtarisë shqiptare dhe pritet të sjellë sërish në skenë emra të njohur dhe talente të reja nga e gjithë Kosova./Katror.info