Prezantimi i kulturës së vendit është një prej vlerave thelbësore të formacionit koral të Filharmonisë së Kosovës. I guximshëm me programet që zgjedh, elegant e i gjallë me traditën e këngëve të hershme e edhe ato më moderne. Me atë që i thuhet Kori i Operës së Kosovës ka sjellë program tejet atraktiv e përplot efekte. Të bashkuara, dy institucionet kanë sjellë atmosferë festive në mbyllje të edicionit të festivalit ndërkombëtar të muzikës “ReMusica”.
Për pesë net radhazi, hapësira e kishës katolike “Shën Ndou” në Prishtinë është kthyer në sallë koncertale si alternativë për koncertet e saj nga ato me grupe më të vogla muzikantësh e deri te formacionet e plota korale e me orkestër. E hapësira e kishës, të premten mbrëma ka qenë e vogël për dy kore të bashkuara në një bashkë me solistët, të drejtuar nga dirigjenti Hajrullah Syla.
Shenjat e festivalit “ReMusica” kanë qenë aty për të fundit herë për sivjet. E publiku, në të gjitha koncertet e këtij edicioni, ka mbushur përherë rendet e ulëseve.
Drejtoresha e festivalit, Donika Rudi, e ka konsideruar maratonë ngjarjesh edicionin e sivjetmë.
“Ka qenë një maratonë. E kemi nisur të hënën me këmbë të mbarë, me një artist të mrekullueshëm siç është Tedi Papavrami dhe Maki Okada si dhe ansamblin ‘ReVocal’ me dirigjent Rafet Rudin. E përmbyllëm sonte. Ishte një javë e gjatë, me shumë aktivitete, e ngjeshur, por me një program shumë të larmishëm. Patëm nga koncertet vokale tek ato me Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës. Patëm programin e fëmijëve dhe shumëçka tjetër”, është shprehur ajo.
Koncerti i fundit për këtë edicion ka nisur me veprën “Stars” nga Eriks Esenvalds. Ka ngjarë në një lloj kremte kur tri koriste kanë hyrë me gota shampanje në skenë. Por nxjerrja e tingujve nga rrëshqitja e gishtërinjve në harkun rrethor ka qenë muzika dhe natyra e veçantë abstrakte që i kanë dhënë kësaj vepre. Kur zëri buçet, sjell harmoni të bukura, ndërsa kur pushon a ulet, këto efekte me gota i japin ngjyrë krejt tjetër veprës së kompozitorit lituan.
Vepra në radhë sipas programit ka qenë “OEIA” nga Mendi Mengjiqi. Këtë vepër, ansambli e ka ngjyrosur me zërat tradicionalë. Nganjëherë pjesët e saj ngjanin në thirrjet që dikur malësorët komunikonin mes vete nga një shpat te tjetri. Shpesh edhe në interpretimin e këngës iso-polifonike të Jugut. Ndonëse interpretimi është temperament, ka një mes që e mban në linjë dhe e vazhdon pa ndalur. Zëri qëndron i palëkundur në sfond, interpretuar nga një grup i Korit.
U interpretua edhe vepra “Bash n’zaman” nga kompozitori i ndjerë Halit Kasapolli, i cili një pjesë të madhe të veprimtarisë së tij jetëshkurtër ia kushtoi përpunimit të këngëve korale mbi tema popullore.
Partiturat e para të veprës “Iuppiter” nga Michael Ostzryga nisin me emrin e titullit me zë shumë të lartë dhe ashtu vazhdon gjersa një vijë melodike nis të zhvillohet me vazhdimësinë e lehtë të zërave e tingujve të nxjerrë nga gotat. Pëshpërimat dhe bërtimat janë kontrasti i veprës. Kënga e shpejtë ka qenë tejet atraktive e një pjese të formacionit koral gjersa pjesa tjetër ka qëndruar si sfond, a zë dytësor. Tensioni në këtë vepër është i përhershëm.
Në “Cloudburst” të amerikanit Eric Whitacre pjesa ‘a cappella’ sjell zërat hipnotikë. Pas pjesës ku pjesët vokaliste janë të zgjatura vjen pjesa solo e baritonit Endrit Rexhepi që pasohet nga zhvillimi i një teme të re, sërish ‘a cappella’. Solistët i japin ngjyra e kështu edhe sopranoja Shkurte Hykaj dhe Kaltrina Miftari. Kjo e fundit e sjell të qartë poetikën e veprës duke e interpretuar secilin varg që më pas ndiqet nga ansambli i Korit.
Papritmas ata lëshojnë në dysheme literaturën, intensiteti i zërit gradualisht rritet, magjinë ia shton ksilofoni, zëri jehon e dinamikën ia shton tupani. Vepra mbyllet me shuplaka e kërcitje të gishtërinjve të çakorduara që krijojnë atmosferë të çuditshme.
Solistë në këtë vepër kanë qenë edhe perkusionistët Patris Berisha e Meriton Zajmi, si dhe pianisti Andi Duraku.
Dirigjenti Hajrullah Syla ka theksuar se programi i këtij koncerti ka qenë i njëjti me të cilin Kori qe prezantuar në Gjermani me dy koncerte këtë vit.
“Ky ishte një program të cilin para pak muajve e kemi realizuar në dy koncertet që i patëm në Gjermani me Korin e Filharmonisë, me disa ndryshime të vogla, sigurisht. Programi ka përmbajtur vepra mjaft interesante, mjaft atraktive. Disa vepra që realisht janë shumë të dashura për publikun dhe i presin mirë, për shkak të efekteve që i kanë, për shkak të interpretimit, siç janë tempot e shpejta. Janë mjaft atraktive dhe po besoj u vërejt edhe nga publiku i cili e priti programin mjaft mirë”, ka thënë dirigjenti Syla.
Në shtator, Kori i Filharmonisë së Kosovës i ka interpretuar këto vepra në Hamburg, në Kishën e Shën Pjetrit ku, midis tjerash, u prezantua kultura muzikore e vendit. E më pas, Kori pati udhëtuar drejt Düsseldorfit për ta përsëritur emocionin e njëjtë.
“Ç’u mbush mali” nga Vasil Tole ka qenë vepra ku roli i pianos ka qenë më i shprehur, ndryshe nga dy vepra të tjera me tinguj më minimalë, të cilat i ka shoqëruar pianisti Duraku. E ai ka treguar që këtë vepër e ka luajtur për herë të parë para publikut.
“Programi në përgjithësi ishte i zgjedhur me kujdes dhe mendoj se ky bashkëpunim midis Korit të Filharmonisë dhe atij të Operës kishte edhe më shumë potencial, më shumë zë dhe mendoj se shkoi shumë mirë. Unë luajta në tri veprat e fundit, pjesë të cilat i kam luajtur më parë përveç njërës të cilën e luajta për herë të parë në skenë. Me të vërtetë është gjithmonë kënaqësi ky bashkëpunim me Korin e Filharmonisë, e sonte edhe me atë të Operës”, ka thënë Duraku, shkruan Koha.net.
Koncerti është mbyllur me veprën “Cantate domino” nga Ko Matsushita. Ritmet kanë qenë tejet të bukura. Harmonia e melankolia e lehtë janë bërë bashkë e kjo e ka bërë atë të krijojë atmosferë festive.
Sopranoja Elikona Hysaj, koriste në Korin e Filharmonisë së Kosovës, ka thënë se sa herë i interpretojnë këto vepra, ato tingëllojnë secilën herë më bukur./Katror.info
“Sigurisht se piqet vepra, bëhet edhe më e bukur, më e ndjeshme. Ka qenë interesante sonte me dy kore së bashku sepse është përherë e veçantë të bashkohen ato dhe ta kthejnë një tingull të tillë të unifikuar si dhe të krijojmë një atmosferë, një interpretim shumë mbresëlënës për publikun. Ky është qëllimi i gjithë artistëve në skenë, por që sonte me të vërtetë ka qenë një natë shumë e veçantë. E mbushur me shumë emocione”, është shprehur ajo.
Kompozitorja Donika Rudi, drejtoreshë e festivalit “ReMusica”, e ka konsideruar madhështor koncertin me të cilin është mbyllur edicioni i 24-të.
“Sonte ka qenë një natë madhështore me Filharmoninë e Kosovës, bashkëpunim ky jo vetëm me Korin e saj, por edhe me atë të Operës së Kosovës. Ishte një program jashtëzakonisht i bukur. Kaluam nëpër muzikën tonë nga autorë si Mendi Mengjiqi, po ashtu edhe autorë ndërkombëtarë. Me të vërtetë ishte mrekulli ta përjetosh këtë koncert sonte dhe ta përmbyllim edicionin e 24-të të festivalit ‘ReMusica’, pikërisht me këtë koncert”, ka thënë ajo.
















