Komisioni Qendror Zgjedhor ka publikuar në vazhdimësi në ueb – faqe votat e numëruara të zgjedhjeve lokale të mbajtura të dielën në Kosovë. Sipas këtyre rezultateve garë e ngushtë po zhvillohet në komunat e mëdha.
Prishtina me 83.58 për qind të votave të numëruara çon në balotazh Përparim Ramën e LDK-së me 33.76 për qind me Hajrulla Çekun e LVV-së me 32.90 për qind.
Në Prizren, me 91.1 për qind të votave të numëruara në balotazh shkojnë Shaqir Totaj i PDK-së me 41.92 për qind dhe Artan Abrashi i LVV me 29.87 për qind.
Rezultati i KQZ-së ka përmbysur atë të exit polleve në Mitrovicë, meqë atje tashmë po zhvillohet garë e ngushtë mes Arian Tahirit të PDK-së me 48.07 për qind dhe Faton Pecin e LVV me 47.66 për qind nga 99.05 për qind e votave të numëruara.
Në Pejë Gazmend Muhaxheri i LDK-së prin me 46.11 % ndaj Taulant Kelmendit të LVV-së me 28.13 për qind, nga gjithsej 97.14 vota të numëruara.
Në Gjakovë Ardian Gjini i AAK-së prin me 47.26 për qind ndaj Ardian Golës së LVV-së me 33.74 për qind, kur janë numëruar 95.89 për qind e votave.
Në Ferizaj sipas rezultateve të KQZ-së fitues pa balotazh është Agim Aliu i PDK-së me 56.32 për qind të votave nga 91.16 për qind të numëruara.
Në Gjilan prin Alban Hyseni i LVV me 49.79 për qind të votave ndaj Arbër Ismailit të LDK-së me 34.24 nga të gjitha votat e numëruara. /Katror.info
KQZ publikon rezultatet e para
Në ueb-faqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kanë nisur që të dalin rezultatet e para të zgjedhjeve lokale të mbajtura sot.
Megjithatë, përqindja e votave të numëruara është ende shumë e vogël.
Qytetarët e Kosovës sot i janë drejtuar kutive të votimit për të zgjedhur kryetarët e komunave dhe asamblistët. Procesi zgjedhor i cili ka nisur në ora 07:00 ka përfunduar në ora 19:00, pa ndonjë incident. Të drejtë vote patën 2 milionë e 69 mijë e 98 votues brenda Kosovës, ndërsa rreth 44 mijë votues kanë qenë të regjistruar për të votuar nga jashtë vendit.
E përditësuar: 18:02
Prishtina kryeson pjesëmarrjen në zgjedhje mes shtatë qendrave kryesore
Kryeqyteti vazhdon të prijë në pjesëmarrjen e votuesve në zgjedhjet lokale të 12 tetorit, në mesin e shtatë qyteteteve më të mëdha të vendit. Sipas të dhënave të KQZ-së, rreth 30.41% e qytetarëve të Prishtinës kanë dalë për të votuar deri në orën 15:00. Kjo i bie se nga 222,326 qytetarë me të drejtë vote, 67,609 prishtinas kanë përmbushur deri tani obligimin e tyre kushtetues.
Ndërkaq, qytetarët në qytetet tjera më të mëdha të Kosovës kanë shfaqur nivele të ndryshme të pjesëmarrjes:
E përditësuar: 17:57
KQZ: Dalja e qytetarëve deri në orën 17:00 arrin 32.30 për qind
Sipas të dhënave të publikuara në ueb-faqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), deri në orën 17:00 kanë votuar 32.30 për qind e qytetarëve të regjistruar për votim.
Sipas KQZ-së, dalja më e lartë e votuesve është regjistruar në komunën e Mamushës, ku kanë votuar 64.61 për qind e qytetarëve, ndërsa dalja më e ulët është në Skenderaj, me vetëm 23.61 për qind.
Qytetarët mund të ndjekin të dhënat në kohë reale përmes linkut: Të dhënat live të votimeve./Katror.info.
E përditësuar 15:46
KQZ: 514,233 qytetarë kanë votuar deri tani në Kosovë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar të dhënat më të fundit për pjesëmarrjen në votime në të gjithë vendin. Deri në orën 15:20, 514,233 qytetarë kanë ushtruar të drejtën e tyre të votës, që përbën 25,39% të numrit total të votuesve.
Qytetarët mund të ndjekin të dhënat në kohë reale përmes linkut: Të dhënat live të votimeve.
KQZ: 483,300 qytetarë kanë votuar deri tani në Kosovë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar të dhënat më të fundit për pjesëmarrjen në votime.
Deri në orën 15:20, kanë ushtruar të drejtën e tyre të votës 483,300 qytetarë, që përbën 23,87% të numrit total të votuesve në vend.
Qytetarët mund të ndjekin të dhënat në kohë reale përmes linkut të mëposhtëm: Të dhënat live të votimeve.
KQZ: Deri në orën 13:00 kanë votuar mbi 326 mijë qytetarë në gjithë Kosovën
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka përditësuar të dhënat më të reja mbi procesin e votimit që po zhvillohet sot në gjithë territorin e Kosovës për zgjedhjet lokale në 38 komuna.
Sipas të dhënave të publikuara në platformën online të KQZ-së, deri në orën 13:00 kanë votuar 326 mijë e 240 qytetarë, që përbën 16.11% të votuesve në nivel Republike.

Numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote, sipas KQZ-së, është 2,025,105 votues.
Procesi i votimit po zhvillohet në mënyrë të rregullt në të gjitha komunat, ndërsa KQZ pritet të publikojë gjatë ditës përditësime të reja mbi pjesëmarrjen dhe ecurinë e përgjithshme të zgjedhjeve
KQZ: 7.84% e qytetarëve kanë votuar deri në orën 11:00
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi, ka bërë me dije se deri në orën 11:00, në zgjedhjet që po zhvillohen, kanë votuar 7.84% e qytetarëve me të drejtë vote.
Sipas të dhënave preliminare nga rreth 94% e vendvotimeve, numri i qytetarëve që kanë votuar është 58 mijë e 691 votues apo 7.84%, nga 2 milionë e 25 mijë e 105 votues.
Radoniqi gjithashtu njoftoi se deri tani nuk janë raportuar parregullsi që mund të cenonin integritetin dhe mbarëvajtjen e përgjithshme të procesit zgjedhor.
“Deri në të njëjtën kohë, në Zgjedhjet Lokale të vitit 2021, kishin votuar 152 mijë votues apo 8.2% e votuesve nga 1 milionë 885 mijë e 448 votues”, shtoi ai.
Ndërsa anëtari i KQZ-së nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, ka ngritur shqetësime për shkelje të rregullave zgjedhore në veri të Mitrovicës. Ai tha se Lista Serbe ka organizuar një tubim gjatë ditës së zgjedhjeve, duke e cilësuar këtë si shkelje të Kodit të Mirësjelljes, pasi fushata është mbyllur.
Sipas tij, në disa qendra votimi janë krijuar pengesa të qëllimshme. Kurteshi gjithashtu ka kërkuar që mediat serbe RTS dhe Tanjug të deakreditohen për, siç tha ai, përdorimin e gjuhës propagandistike kundër Kosovës.
Ky është linku ku mund ta verifikoni qendrën e votimit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar qytetarët se tashmë mund të verifikojnë qendrën e tyre të votimit për zgjedhjet lokale.
Verifikimi bëhet përmes platformës zyrtare të KQZ-së, në linkun: 👉 https://qv.kqz-ks.org/sq/PollingCenter/ActualPollingCenter
KQZ ka ftuar të gjithë qytetarët me të drejtë vote që të kontrollojnë paraprakisht të dhënat e tyre për t’u siguruar se dinë saktësisht ku duhet të votojnë ditën e zgjedhjeve.
Sot në Kosovë mbahen zgjedhjet lokale për zgjedhjen e kryetarëve të 38 komunave si dhe për përfaqësues në asambletë komunale. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se vendvotimet në të gjitha komunat e Kosovës do të jenë të hapura nga ora 7:00 deri në 19:00.
Zgjedhjet lokale: Kush ka votuar deri tani?
10:49/ Në këtë proces të rëndësishëm demokratik, disa nga liderët politikë dhe kandidatët kryesorë tashmë kanë votuar, duke dhënë edhe mesazhe për qytetarët.

Pas hedhjes së votës, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se sa më masive të jetë dalja në votim, aq më e fortë është demokracia në vend.
“Është ditë e rëndësishme për demokracinë tonë dhe sa më masive pjesëmarrja në procese zgjedhore aq më e fortë do jetë demokracia jonë. Shpresoj që ky do jetë proces me rezultat në të mirën tonë… Është shumë me rëndësi që qytetarët ta shfrytëzojnë të drejtën e votës dhe përmes saj të vendosin për shërbimet që do t’i shfrytëzojnë dhe mënyrën si do udhëhiqen komunat e tyre”, ka thënë ajo.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka ushtruar të drejtën e tij të votës në Fakultetin Juridik në Prishtinë. Pas votimit, ai e quajti këtë ditë “shumë të rëndësishme” për vendin.

Votojmë për të vendosur për katër vjetët e ardhshme në komunat tona. Përveç se qytetarë të Republikës së Kosovës, jemi edhe banorë të komunës. Ftoj të gjithë qytetarët ta shfrytëzojnë të drejtën, të bëhen hisedarë në zgjidhjen e problemeve që kanë”, deklaroi Kurti.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, gjithashtu ka votuar sot në Shkollën Fillore “Faik Konica” në Prishtinë. Pas votimit, ai u shpreh optimist se edhe këtë herë Kosova do të dëshmohet si shembull i organizimit të zgjedhjeve.

“Zgjedhjet në Kosovë gjithmonë kanë qenë shembull dhe do të mbesin festë, festë e madhe e demokracisë. Janë ditë kur vendimmarrja kthehet te qytetarët për katër vitet e ardhshme, për lagjet, qytetet dhe komunat e tyre,” tha Abdixhiku.
Ai falënderoi anëtarët e KQZ-së, komisionarët, vëzhguesit, Policinë e Kosovës, Prokurorinë, si dhe mediat për angazhimin e tyre në procesin zgjedhor, duke dhënë një urim të veçantë për votuesit e rinj që po marrin pjesë për herë të parë në zgjedhje.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Meliza, ka votuar sot në Shkollën Fillore “Hasan Prishtina”. Ai i ka ftuar të gjithë qytetarët që të dalin dhe të votojnë për udhëheqësit e komunave. Krasniqi theksoi se zgjedhjet lokale janë për qytetarët dhe pjesëmarrja e tyre është vendimtare.

“Katër vitet e ardhshme përcaktohen nga verdikti i qytetarëve. Besoj se kjo do të jetë një ditë e mirë dhe një proces zgjedhor shembullor, siç kemi pasur edhe më parë,” tha ai.
Krasniqi ka folur edhe për mundësinë në balotazh për Prishtinën. “Besoj që do të votojmë me datën 9 nëntor në raundin e dytë edhe këtu në Prishtinë, por edhe në vende tjera. Ndërsa po ashtu shpresoj se jo më larg në dhjetor do të votojmë edhe për zgjedhjet parlamentare”, tha ai.
Edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka votuar sot në komunën e Deçanit, ku ka ftuar qytetarët që të dalin masivisht në votime.

Unë e kam kryer obligimin tim qytetar, e shfrytëzova të drejtën time për të votuar. I ftoj qytetarët të votojnë të gjithë. Parlamentet komunale, kryetarët e komunave kanë shumë rëndësi për standardin e jetës. Sot është dita për t’i marrë vendimet – pra, votoni, vendosni!”, tha Haradinaj.
Kandidati për kryetar të Prishtinës nga Lëvizja Vetëvendosje, Hajrulla Çeku, ka votuar në Fakultetin Filologjik në Universitetin e Prishtinës. Ai ishte i shoqëruar nga bashkëshortja dhe dy vajzat e tij.

Dita e zgjedhjeve duhet të jetë ditë feste”, u shpreh Çeku, duke theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes qytetare.

Edhe kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka votuar sot. Ai e ushtroi të drejtën e tij në shkollën fillore ‘Ismail Qemali’, së bashku me bashkëshorten dhe djalin e tij.
Kandidati për kryetar të Skenderajt nga radhët e PDK-së, Sami Lushtaku, gjithashtu ka kryer obligimin qytetar.

Në qendrën e votimit, ai arriti bashkë me bashkëshorten e tij. Lushtaku, gjatë prononcimit të tij, u bëri thirrje qytetarëve që të dalin dhe ta ushtrojnë të drejtën e votës.
Zgjedhjet lokale të 12 tetorit po zhvillohen në të gjitha komunat e vendit dhe pritet që pjesëmarrja qytetare të jetë vendimtare në formësimin e qeverisjes lokale për mandatin e ardhshëm.
Ndërkohë, pritet që edhe figura të tjera politike të votojnë gjatë ditës, ndërsa procesi do të vëzhgohet nga monitorues vendorë dhe ndërkombëtarë për të siguruar një proces të rregullt dhe demokratik.
Rreth 100 prokurorë nëpër Kosovë, Prokuroria: Denonconi keqpërdorimet
9:50/ Rreth 100 prokurorë të shtetit dhe staf mbështetës po qëndrojnë kujdestarë në të gjithë Kosovëm për garantimin e integritetit të procesit zgjedhor.
Në njoftimin nga zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, thuhet se janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme.
“Në këto zgjedhje janë angazhuar rreth 100 prokurorë të shtetit dhe zyrtarë të sistemit prokurorial, të cilët po qëndrojnë kujdestarë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, deri në përfundim të procesit zgjedhor, me qëllim të procedimit të çdo parregullsie që mund të ndodhë në zgjedhjet e sivjetme lokale”, thuhet në njoftim.
Hoxha: Të gjitha përgatitjet për zgjedhjet janë bërë me kohë
09:05 / Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka folur për përgatitjet e Policisë së Kosovës për ditën e sotme, kur qytetarët votojnë për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në nivel lokal.
Ai ka theksuar se Policia e Kosovës ka bërë përgatitjet që nga fillimi i fushatës zgjedhore, duke ndjekur një plan të detajuar veprimi për të siguruar mbarëvajtjen e procesit.
“Plani operativ është përgatit shumë kohë më përpara, sepse ne punojmë me disa faza të planit, qysh prej fillimit të fushatës zgjedhore e deri te dita e zgjedhjeve dhe pastaj, siç është dita finale, po edhe menaxhimi i situatës pas shpalljes së rezultateve e deri te përfundimi i numërimit të votave në qendrën e numërimit të rezultateve nga KQZ-ja”, ka thënë Hoxha.
KQZ: Votimi ka nisur me kohë
8:11/ Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se në orët e hershme të mëngjesit është shpërndarë materiali në të gjitha qendrat e votimit.
Ai ka thënë se procesi i votimit për zgjedhjet lokale ka nisur me kohë në të gjitha qendrat, përjashtimisht në ndonjërën që ka pasur sipas tij ndonjë vonesë të vogël.
Sipas tij, sot procesi i votimit zhvillohet në 948 qendra. Elezi ka thënë se përveç organizimit të votimit në vendet e rregulla, është organizuar edhe votimi përmes ekipeve mobile. “KQZ-ja ka certifikuar 93 subjekte politike, 32 parti, 2 koalicione, 32 iniciativa qytetare dhe 27 kandidatë të pavarur”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se sot “pas numërimit të fletëvotimeve, pas përfundimit të procesit të votimit do të arrijnë të prezantojnë rezultatet preliminare”, shkruan Koha.net.
“Është punuar shumë që të mos kemi vonesa”, ka thënë ai.
Radoniqi: KQZ-ja ka marrë masa që të mos përsëriten problemet e 9 shkurtit me numërim
07:40 / Kryetari i Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), Kreshnik Radoniqi, ka hedhur votën në Qendrën e Votimit në Pejë.
Pas votimit, ai tha se KQZ-ja ka marrë të gjitha masat që të mos përsëriten problemet e ngjashme me ato të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, kur platforma e publikimit të rezultateve ka pasur pengesa të vazhdueshme.
“Në këto zgjedhje kemi përmirësuar platformën, ku presim të dalim me rezultatet preliminare. Gjithashtu, edhe qendrat komunale të numërimit janë të pajisura me të gjitha pajisjet për numërim”, tha Radoniqi.
KQZ: Kontrolloni vendvotimin, mos harroni letërnjoftimin
07:07 / Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë thirrje për të gjithë qytetarët me të drejtë vote që para se të shkoni në vendvotim, të kontrollojnë se ku e kanë vendvotimin.
KQZ përmes një postimi në Facebook, apelon qytetarët që të kenë kujdes të marrin me vete një nga dokumentet e vlefshme: letërnjoftimin, pasaportën ose lejen e vozitjes. Para se të shkoni në vendvotim, kontrolloni ku votoni. Lexo lajmin e plotë këtu.
Kush garon?
Sipas të dhënave të KQZ-së, në mbarë vendin janë organizuar 938 qendra votimi me gjithsej 2.625 vendvotime.
Për qytetarët që votojnë nga jashtë vendit, është mundësuar votimi me postë – proces që ka nisur më 17 shtator dhe ka përfunduar më 11 tetor.
Për zgjedhjet lokale janë certifikuar 5.626 kandidatë, përfshirë 206 kandidatë për kryetarë komunash dhe të tjerët për ulëse në kuvendet komunale.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në garë janë 93 subjekte politike, ndër to 32 parti, 32 iniciativa qytetare, 2 koalicione dhe 27 kandidatë të pavarur.
Votuesit duhet të plotësojnë dy fletëvotime në kabinën e votimit: një për kryetarin e komunës dhe një tjetër për kandidatin për kuvendin komunal, duke shënuar numrin e kandidatit dhe subjektin politik me të cilin ai garon.
Zgjedhjet lokale mbahen në të gjitha komunat e Kosovës, përfshirë edhe ato me shumicë serbe në veri të vendit.
Për më shumë se dy vjet, Mitrovica e Veriut, Zveçani, Zubin Potoku dhe Leposaviqi u udhëhoqën nga kryetarë shqiptarë.
Kjo pasoi dorëheqjet e përfaqësuesve të Listës Serbe në nëntor të vitit 2022, në shenjë proteste ndaj vendimit të autoriteteve të Kosovës për t’i hequr nga qarkullimi targat serbe të automjeteve.
Në prill të vitit 2023, serbët e veriut – duke ndjekur udhëzimet e Listës Serbe – i bojkotuan zgjedhjet e jashtëzakonshme komunale.
Bojkotim kishte edhe një vit më vonë, në prill të vitit 2024, gjatë votimit për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë.
Në zgjedhjet e sotme, Lista Serbe ka kandidatë për kryetarë komunash në të dhjetë komunat me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq, Zubin Potok, Graçanicë, Shtërpcë, Novobërdë, Kllokot, Partesh dhe Ranillug, si dhe në Obiliq.
Kandidatë në komunat me shumicë serbe kanë edhe disa parti tjera serbe: Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Demokracia Serbe, Lëvizja Popullore Serbe, Aleanca e Kosovës, si dhe disa iniciativa qytetare./Katror.info
















