Borussia Dortmund dhe Fluminense janë dy skuadrat më të fundit që kanë siguruar kualifikimin për në rundin tjetër të Kupës së Botës për Klube, që po zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Skuadra gjermane e Dortmundit arriti një fitore të ngushtë, por shumë të rëndësishme ndaj Ulsan Hyundai me rezultatin 1-0, në ndeshjen e zhvilluar të mërkurën mbrëma, në kuadër të Grupit F. Goli i vetëm i ndeshjes u shënua nga Svensson në minutën e 39-të, duke siguruar tre pikë të arta për verdhezinjtë.
Me këtë fitore, Borussia Dortmund kryeson grupin me shtatë pikë, duke siguruar kualifikimin si lider. Fluminense, ndërkohë, barazoi 0-0 ndaj Mamelodi Sundowns FC dhe e mbylli grupin në vendin e dytë me pesë pikë.
Të dyja skuadrat vazhdojnë rrugëtimin në turneun prestigjioz, me objektiv final triumfin në këtë edicion të veçantë të Kupës së Botës për Klube./RTK/Katror.info