Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, do të përfaqësojë Kosovën në Samitin e Procesit të Berlinit i cili do të organizohet në Londër, megjithatë nuk priten marrëveshje të reja gjatë këtij procesi.
Lajmin e ka bërë të ditur këshilltari i kryeministrit në detyrë, Jeton Zulfaj.
“Javën që vjen, kryeministri do të udhëtojë për në Londër, për të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit, i cili këtë herë mbahet në Britaninë e Madhe, nikoqiren e këtij samiti. Temat kryesore do të jenë siguria, zhvillimi dhe migrimi. Duhet t’i kushtohet vëmendje deklaratave që do të jepen nga nikoqiri, si dhe deklaratave pas samitit nga Ministria e Punëve të Brendshme, të cilat mbulojnë edhe çështjet e migracionit”, deklaroi Zulfaj.
Megjithatë, ai njoftoi se s’do të ketë marrëveshje të reja në këtë proces.
“Në përgjithësi, nuk ka marrëveshje të reja në këtë samit, siç kemi pasur në tre vitet e fundit, kështuqë nuk do të ketë nënshkrim të marrëveshjeve të reja”.
Samiti i Procesit të Berlinit është një iniciativë diplomatikë që ka për qëllim të forcojë bashkëpunimin rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe të mbështesë integrimin e shteteve të këtij rajoni në Bashkimin Evropian.
Ky proces u nis në vitin 2014 me një samit të mbajtur në Berlin, nën udhëheqjen e kancelarës gjermane, Angela Merkel, dhe ka për qëllim krijimin e një platforme për dialog dhe bashkëpunim midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm i Procesit të Berlinit është përpjekja për të promovuar stabilitetin, duke inkurajuar bashkëpunimin mes vendeve të rajonit, dhe duke e bërë këtë një hap përpara drejt integrimit të plotë në BE./Albanian Post/Katror.info
















