Një muze i ri arti kushtuar migrimit është hapur në Roterdam, pranë portit nga ku Albert Ajnshtajni u largua nga Evropa për të nisur një jetë të re në SHBA.
Muzeu Fenix është pjesa qendrore e një projekti rigjenerues në lagjen bregdetare Katendrecht – dikur shtëpi e lagjes së kuqe të qytetit dhe të Chinatown-it më të madh në Evropë. Hapja e tij vjen në një kohë kur diskursi rreth migrimit në Evropë po ashpërsohet gjithnjë e më shumë.
Godina 16,000 metra katrorë, e ndërtuar në vitin 1923, dikur ishte pjesë e magazinës më të madhe në botë, e përdorur nga kompania Holland America Line, që mundësoi udhëtimin e miliona migrantëve gjatë shekujve XIX dhe XX nga ky port.
“Ne nuk u themi njerëzve si të ndihen për migrimin,” tha Esmee Köhler nga muzeu, gjatë një vizite paraprake për Positive News, përcjell Katror.info. “Thjesht duam ta pasurojmë mënyrën se si ata e kuptojnë atë.”

Projektuar nga arkitekti kinez Ma Yansong, Fenix u hap me tre ekspozita, përfshirë Suitcase Labyrinth – një koleksion me 2,000 valixhe që rrëfejnë histori personale nga njerëz në mbarë botën. Edhe vetë ndërtesa mbart simbole të forta: një spirale kromi në formë heliksi mbi çati, ku vizitorët mund të ecin, përfaqëson lëvizjen dhe rrugët e ndryshme që ndjekin njerëzit në jetë.
Ekspozita kryesore All Directions: Art That Moves You, përmbledh 150 vepra dhe objekte historike e bashkëkohore të mbledhura në 5 vitet e fundit.
Në katin përdhes ndodhet një hapësirë e madhe publike, e quajtur ‘plein’, që do të shërbejë si qendër për ngjarje kulturore të kuruara nga komunitetet e Roterdamit përgjatë gjithë vitit.
Muzeu është financuar nga Fondacioni Droom en Daad, themeluar në vitin 2016 dhe drejtuar nga Wim Pijbes, ish-drejtor i Rijksmuseum.
“Historia e Fenix është e pandarë nga Roterdami dhe komunitetet e tij të shumta – por është edhe një histori universale,” tha drejtoresha Anne Kremers.
“Është një rrëfim për mbërritjet dhe largimet, për ndryshimin e përhershëm për t’u përballur me të ardhmen. Nga kalimi i Murit të Berlinit, te largimet me anije për në SHBA, te mbërritja e komuniteteve të reja për të ndërtuar, krijuar dhe mësuar – Fenix është një pasqyrë e përvojave njerëzore nga e gjithë bota, e rrëfyer përmes artit.”
“Migrimi është i përhershëm dhe universal,” shtoi Kremers. “Që kur ekzistojmë si qenie njerëzore, jemi gjithmonë në lëvizje. Është pjesë e asaj që jemi.”/Katror.info