Kryeqyteti i Azerbajxhanit, Baku, është shndërruar për tre ditë me radhë në një qendër të artit bashkëkohor, duke mirëpritur artistë, kuratorë dhe dashamirës të artit nga e gjithë bota.
Festivali “Baku ART Weekend”, ka për mision të dalloj kreativitetin dhe trashëgiminë kulturore të vendit, duke e pozicionuar Azerbajxhanin si një urë mes historisë dhe së ardhmes.

Ngjarja, e organizuar nga Fondacioni Heydar Aliyev dhe Shoqata Publike IDEA, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës së Azerbajxhanit, sjell një seri ekspozitash, performancash, koncerteve dhe projekteve publike të artit që zhvillohen nëpër muze, institucione arsimore dhe hapësira historike të Bakut.
Festivali nisi me ekspozitën “The Triumph of Form”, që prezanton veprat e artistit dhe skulptorit të njohur kolumbian Fernando Botero, i cili njihet për stilin e tij unik “Boterismo”, ku figurat dhe objektet paraqiten me forma të rrumbullakëta dhe të ekzagjeruara.

Programi kulturor përfshin edhe emra ndërkombëtarë si piktori dhe skulptori italian Giuseppe Carta, artisti bashkëkohor vizual italian Giovanni Ozzola, si dhe artisti dhe studiuesi Michael Takeo Magruder, me origjinë amerikano-britanike.
Deri më 2 nëntor, qyteti do të mirëpresë rreth 40 aktivitete artistike, përfshirë takime, punëtori dhe projekte publike, që synojnë të nxisin imagjinatën dhe dialogun kulturor përmes artit.
Në hapje morën pjesë nënpresidentja e Fondacionit Heydar Aliyev dhe themeluese e Shoqatës IDEA, Leyla Aliyeva, si dhe Arzu Aliyeva dhe Alena Aliyeva, të cilat theksuan rëndësinë e artit si mjet për ndërtimin e një të ardhmeje që ruan identitetin kulturor të vendit./Katror.info
















