Një studim i fundit ka zbuluar se dëgjimi i muzikës në mënyrë të rregullt lidhet me një rrezik dukshëm më të ulët për të zhvilluar demencë.
Studiues nga Anglia Ruskin University (ARU) dhe Cambridgeshire and Peterborough NHS Foundation Trust kanë testuar një qasje të re të terapisë muzikore, të quajtur MELODIC, në dy reparte të NHS-it për pacientë me demencë. Qëllimi i tyre: të gjejnë alternativa ndaj barnave psikotrope, të cilat shpesh përdoren për të menaxhuar shqetësimet e rënda te këta pacientë, shkruan Neuro Science News.
Në kuadër të studimit pilot, një terapist muzike u integrua në repartet spitalore, duke ofruar seanca klinike me muzikë dhe duke hartuar plane të personalizuara përkujdesjeje për secilin pacient. Rezultatet e hulumtimit, të botuara në Frontiers in Psychiatry, hedhin dritë mbi potencialin e muzikës në përmirësimin e mirëqenies emocionale.
Terapia muzikore — që përfshin këndimin, interpretimin ose dëgjimin e muzikës — i ndihmon pacientët të lidhen me emocione dhe kujtime, ndërsa terapisti udhëzon edhe familjarët se si muzika mund të përdoret në rutinën e përditshme të kujdesit.
Të dhënat treguan një përmirësim të lehtë të cilësisë së jetës, ulje të simptomave të shqetësimit dhe reduktim të sjelljeve të çrregullta. Megjithatë, shënimet e agjitacionit u rritën paksa. Po aq e rëndësishme është se nuk pati rritje të incidenteve të raportuara dhe asnjë ngjarje të padëshiruar të lidhur me ndërhyrjet muzikore — një sinjal pozitiv për studime të mëtejshme në repartet psikiatrike për demencën, ku kërkimi shkencor mbetet ende i kufizuar.
Ekspertët e quajnë këtë pilot një hap inkurajues drejt integrimit të muzikës si mjet klinik me potencial të madh në trajtimin e demencës. /Katror.info











