Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim kryetarin e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TİKA), z. Abdullah Eren, me të cilin diskutoi për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Turqisë në fusha zhvillimore.
Në takim, Presidentja Osmani shprehu mirënjohje për kontributin e TİKA-s në zhvillimin e vendit për më shumë se dy dekada, duke përmendur ndikimin në infrastrukturën kulturore, arsimin dhe shëndetësinë, si dhe mbështetjen në ndërtimin e Qendrës për fëmijë me sindromën Down dhe Autizëm në Prishtinë.
Ajo e vlerësoi Turqinë si partnere strategjike dhe mike të Kosovës, duke theksuar se miqësia ndërmjet dy popujve është e qëndrueshme dhe e ndërtuar mbi respekt, ndihmë reciproke dhe vlera të përbashkëta.
Presidentja Osmani përgëzoi z. Eren për emërimin në krye të TİKA-s dhe shprehu dëshirën për të vazhduar bashkëpunimin në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, duke përfshirë ndihmën humanitare, restaurimin e objekteve historike dhe mbështetjen e grupeve të margjinalizuara dhe fëmijëve me nevoja të veçanta./Katror.info











