Klubi i futbollit Prishtina, pritet të bëhet me stadium të ri. Kryetari i komunës së Prishtinës Përparim Rama, dhe kryetari i Federatës së Futbollit Agim Ademi, diskutuan rreth projektit të ndërtimit.
Ademi dhe Rama u dakorduan për të bashkëpunuar në realizimin e këtij projekti të rëndësishëm për sportin kryeqytetas dhe jo vetëm. Stadiumi i ri, i cili do të ndërtohet në Bërnicë, do të jetë i kategorisë së katërt dhe do t’i plotësojë të gjitha standardet dhe kushtet e nevojshme për organizimin e ndeshjeve ndërkombëtare, përkatësisht të ndeshjeve të ekipit kombëtar dhe klubeve në garat evropiane, thuhet në njoftimin e Federatës së Futbollit të Kosovës.
Ademi dhe Rama kanë rënë dakord që Federata e Futbollit e Kosovës të ketë përgjegjësinë për menaxhimin e stadiumit të ri, në të njëjtën mënyrë siç ndodh me stadiumin “Fadil Vokrri”. Ata diskutuan po ashtu edhe për mirëmbajtjen e stadiumit ekzistues, gjendjen e fushës dhe organizimin e ndeshjeve kombëtare dhe të ekipeve që garojnë në Evropë.
Kryetari Rama ka shfaqur interesimin e tij për zhvillimin e sportit, veçanërisht futbollit, në kryeqytet, duke e parë atë si sportin më të popullarizuar në Kosovë. Të dy krerët e institucioneve janë zotuar që të krijojnë kushte sa më të mira për sportin në kryeqytet dhe të përkushtohen bashkërisht në organizimin sa më të mirë të klubeve të kryeqytetit./Katror.info