Pas emocioneve të “Ndeshjes së Yjeve”, Muaji i Çlirimit të Prishtinës vazhdon me një tjetër ngjarje që premton të ngrejë pulsime: Shkodra Elektronike vjen për herë të parë në Kryeqytet, ka njoftuar Drejtoria për Kulturë në Prishtinë, përcjell Katror.info.
Më 16 qershor, në mbrëmjen që shënon edhe hapjen zyrtare të edicionit të 13-të të festivalit FemArt, AMC Hall do të shndërrohet në një laborator tingujsh dhe emocioni.
Dyshja ikonike nga Eurovisioni, Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca, që mahnitën publikun me këngën “Zjerm”, do të sjellin në skenën e FemArt ritmin, pasionin dhe zërin e një gjenerate që nuk pranon kufij. “Shkodra Elektronike” nuk është thjesht një performancë – është një manifest artistik, një ftesë për të çliruar mendjen e për të sfiduar normat.
Këtë vit, FemArt vjen nën moton “Çliroje mendjen”, një thirrje e fuqishme për lirinë e shprehjes, barazinë gjinore dhe fuqizimin përmes artit. Nga data 16 deri më 21 qershor, Prishtina do të frymojë ndryshe – me performanca, ekspozita, diskutime e aktivitete që synojnë të trazojnë status quo-në dhe të frymëzojnë ndryshim.
Për të gjithë ata që besojnë në artin si formë rezistence dhe në tingullin si zë të transformimit shoqëror – kjo është nata që nuk duhet humbur./Katror.info