Një rritje e ndjeshme e çmimit të naftës po ndodh në tregun kosovar, teksa tensionet gjeopolitike mes Iranit dhe SHBA-së po godasin tregjet globale. Pas sulmit të fundit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës kundër Iranit, paralajmërohet rritje e madhe e çmimeve të derivateve në mbarë botën , përfshirë edhe Kosovën. Shoqata e Naftëtarëve thotë se për momentin rritja në Kosovë nuk është ekstreme, por paralajmëron se situata mund të përkeqësohet.
Prej ditësh, çmimet e derivateve në Kosovë kanë pësuar ndryshime të vazhdueshme. Thuajse çdo ditë, çmimi për një litër naftë është në ngritje, gjë që ka shqetësuar qytetarët.
Kjo rritje e menjëhershme dhe e pandalshme po thuhet se lidhet me tensionet në rritje mes Iranit dhe Izraelit, të cilat kanë ndikuar ndjeshëm në tregun global të naftës. Si pasojë, efektet e këtij destabiliteti po ndihen edhe në Kosovë.
Qytetarët shprehen të shqetësuar për këtë situatë, duke theksuar se çdo ngritje e çmimeve ndikon drejtpërdrejt në jetën e tyre të përditshme.
“Nuk është mirë. Përgjithësisht për ne, të ardhme nuk ka, edhe kjo ngritje e çmimeve do të jetë problem…”, është shprehur Naser Sllamniku, qytetar.
Nëse çmimi i naftës vazhdon të rritet me këtë ritëm, qytetarët thonë se situata do të bëhet e papërballueshme.
“Këtu tek ne, ashtu si ashtu, çmimet kanë qenë të larta. Këto duhej të uleshin, jo të rriteshin, e sidomos kur nuk është rritur rroga…”, ka deklaruar Avdyl Zabelaj, qytetar.
Madje, edhe qytetarët që jetojnë jashtë vendit vlerësojnë se çmimet në Kosovë janë të larta krahasuar me standardin e jetesës.
“Si mërgimtar, mendoj që çmimet e naftës janë pak të larta për standardin në Kosovë. Në Norvegji ku banoj unë, kemi 1.80 euro për litër…”, është shprehur Bekim Istrefi.
Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berijani, ka thënë se rritja e çmimeve lidhet me situatën e tensionuar në Lindjen e Mesme.
Sipas tij, pas sulmeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës kundër Iranit, gjasat që çmimi i derivateve të rritet më tej janë të mëdha, por aktualisht në Kosovë nuk ka ndodhur një rritje ekstreme.
“Është duke ndodhur për shkak të luftës. Ne kemi pasur çmim stabil, tri muaj kemi punuar me 1.12 cent. Në momentin që filloi lufta, çmimet e derivateve u rritën në mënyrë ekstreme, por në territorin e Kosovës nuk ka pasur rritje të tillë. Aktualisht, çmimet e derivateve janë 1.21-1.32 euro për naftën dhe 1.20-1.32 euro për benzinën”, ka deklaruar Berijani.
Edhe mediumi prestigjioz britanik BBC ka paralajmëruar për rritje të çmimit global të naftës me hapjen e tregjeve të energjisë të hënën në Azi.
BBC ka cituar drejtoreshën ekzekutive të “Crystol Energy”, Carole Nakhle, e cila ka thënë se sulmet e SHBA-së e kanë çuar konfliktin në një nivel të ri dhe se shumë njerëz kanë frikë se kjo vetëm sa do ta përkeqësojë situatën.
Irani është një nga prodhuesit kryesorë të naftës në botë, por nuk është ndër më të mëdhenjtë, siç janë SHBA, Arabia Saudite apo Rusia./RTK/Katror.info