Supat e shtëpisë janë ushqim ideal në kohët e vranëta e me shi, sidomos nëse janë të marume me perime t’freskëta. Megjithatë, njeriu gjithmonë kërkon mënyra t’lehta e t’thjeshta për me ja ba vehtes qejfin, e receta e radhës asht prej t’tillave.
Supa me speca t’kuq asht supa që ofron shumë shije t’veçantë, falë specave t’kuq t’cilët paraprakisht janë t’pjekun n’furrë. Për ma tepër, kjo supë asht ideale për kando që asht vegjetarian/e a vegan/e, sepse nuk përmbanë produkte shtazore dhe i duhen 3 hapa t’thjeshtë për me e realizu.
PËRBËRËSIT:
3 speca t’kuq t’pjekun e t’qërum
1 qepë e bardhë ose e verdhë (e prerë imët)
2 thelpinj hudhër (t’imtësume)
2 karrota (t’prera n’copa)
2 gjethe trumzë
Gjethe borziloku (opsionale)
2 trupa selino (t’prera imët)
2 lugë vaj ullini
1 lugë çaji kripë
1/2 lugë çaji biber me fara speci
1/2 lugë çaji biber i zi
2 gota supë perimesh (1 kubëz supe me 750 ml ujë)
2 gota sos domatesh
1/3 gotë krem-qumësht
HAPI 1:
Shto vajin e ullinit n’tenxhere bashk me perimet e freskëtadhe erëzat. Fërgoji krejt përbërësit mirë për 4 minuta. Shto specat e kuq, borzilokun dhe trumëzën n’tenxhere e fërgo për 3 minuta t’tjerë.
HAPI 2:
Shto sosin e domateve bashk me supën e përgatitun me ujë dhe kub supe. Ziji perimet për 20 minuta.
HAPI 3:
Merr blenderin mobil, ose nëse nuk ke, vendose masën n’blender statik e bluje mirë, pastaj ktheje n’tenxhere masën. Shto krem-qumështin dhe zije masën për 3 minuta t’tjera. Servo me pak krem-qumësht dhe gjethe borziloku sipër pjatës me supë.
REZULTATI:
Servoje supën me pak bukë t’rreshkun ose me keksa t’njelbët. Pjesën që t’tepron fute n’tegëll ose shishe t’xhamit e ruje n’frigorifer. Kësisoji, supa qëndron për 2 ditë dhe mundesh edhe n’punë me marrë me vehte.
Mbasi veç jemi te supat, ne ta sygjerojmë edhe supën me thjerrëza e limon – supë kjo që ja vlenë me e provu, po aq sa supa me lulelakër. Shijo! /katror.info/
Ky artikull është përgatit’ nga Kaltrina Zhushi. Për me pa receta të mira dhe te shëndetshme, mundeni me e vizitu blogun e saj në Instagram @gurmaneria