Dua Lipa, këngëtarja kosovare me famë botërore, po magjeps sërish publikun – kësaj radhe jo me muzikë, por me pasionin e saj për librat.
Klubi i librave online i këngëtares së “Houdini” ka arritur sukses të madh. Tani, intervistat e saj me autorë fitues të çmimit Pulitzer po tërheqin gjithnjë e më shumë fansa të rinj.
“Klubi i Librave i Dua Lipës” po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje, ndërsa intervistat e saj me autorë të njohur, përfshirë edhe fitues të çmimit Pulitzer, po tërheqin një audiencë të re dhe të papritur.
Këtë fenomen e ka trajtuar së fundmi edhe prestigjiozja The Guardian, duke e vënë në qendër të vëmendjes një video në YouTube që ka mbledhur mbi një milion shikime për pak javë. Videoja, e realizuar nga shkrimtari Blake Lefray për kanalin e tij të ri, e shpall Dua Lipën si “intervistuesen më të mirë letrare” në një stil krahasues thuajse si në Mortal Kombat. Dhe, ndonëse kjo mund të tingëllojë e ekzagjeruar, argumenti që paraqet është befasueshëm i fortë.
“Po bëja kërkime për një ese-video mbi cilësinë e intervistave letrare në media të ndryshme,” shpjegon Lefray.
“Kur hasa në intervistën e Dua Lipës me Hernan Diaz, autorin e romanit Trust dhe fitues i çmimit Pulitzer, mbeta i mahnitur”, thotë shkrimtari Blake Lefray.
Pasi e analizoi me kujdes intervistën e Dua Lipës me Hernan Diazin, Lefray vërejti se ajo kishte diçka që mungonte në shumë intervista të tjera me autorë një thellësi të veçantë dhe ndjeshmëri të sinqertë. Edhe pse kishte parë Diazin të intervistohej disa herë nga gazetarë dhe prezantues të njohur, ai thotë se intervista e Lipës ishte “lehtësisht më e mira”.
“Në fillim mendova se ta shpallësh Dua Lipën si intervistuesen më të mirë të romancierëve ishte thjesht një titull joshës për klikime,” thotë ai.
“Por sa më shumë që shikoja intervistat e saj, aq më shumë kuptoja se për mua personalisht, ajo është më e mira aktualisht. Ajo bën pyetje të mençura, të mbështjella me ndjeshmëri dhe kureshtje të vërtetë”, shton ai.
Kjo mund të tingëllojë si një ekzagjerim, por pasi sheh disa nga intervistat e saj, menjëherë ndjen se ka diçka që ndryshon nga deklaratat standarde të përgatitura për publicitet. Në bisedën me Hernan Diaz, Lipa e pyet nëse një nga personazhet e romanit të tij është i bazuar në një gazetare hulumtuese, shkrimet e së cilës për John D. Rockefeller ndihmuan në shpërbërjen e kompanisë së fuqishme Standard Oil Trust – dhe Diaz, i cili nuk kishte dëgjuar kurrë më parë për këtë gazetare, mbetet i habitur.
Në një tjetër intervistë me nobelisten Olga Tokarczuk, biseda merr një kthesë të papritur drejt rëndësisë së William Blake si figurë kundër establishmentit në Poloninë komuniste. Ndërsa në bisedën me George Saunders, autorin e Lincoln in the Bardo, flasin për rëndësinë e të mosgjykuarit në draftet e para të shkrimit – dhe në fund, është vetë Saunders që, paksa i emocionuar, e pyet Lipën si ishte ndjesia të performonte në Glastonbury.
Kjo nuk është aspak ajo që jemi mësuar të shohim në intervistat standarde me autorë në televizion. Në emisionet e mbrëmjes, pyetjet zakonisht janë të lehta dhe sipërfaqësore – Jimmy Fallon shpesh nis me ndonjë variant të pyetjes “Si ndiheni që libri juaj është bestseller?”, ndërsa Seth Meyers një pjesë të intervistës me Hernan Diaz e kaloi duke e pyetur për stilolapsin që përdor për të shkruar me dorë.
Gazetaret britanike si Lorraine Kelly apo Angela Rippon janë disi më kërkuese në pyetjet që bëjnë, por kohëzgjatja e segmentit të tyre në televizion është aq e shkurtër, sa mezi ka hapësirë për të përmendur pikat kyçe të një libri, e jo më të zhvillohet ndonjë bisedë filozofike për fatin, empatinë apo martesën në qeveritë e djathta.
Podkastet dhe festivalet e librave janë, natyrisht, më të përshtatshme për biseda të thelluara dhe ndoshta janë krahasimi më i drejtë – por, siç vëren Lefray, ato janë më pak të qëndrueshme sesa intervistat e Duas: herë-herë të çuditshme, shpesh të ngurta, dhe me një prirje të tepërt për të përdorur shprehjen “në një farë mënyre”.
Po si arrin Dua Lipa të shkëlqejë në këtë fushë?
Para së gjithash, ajo lexon shumë. Në një fjalim të mbajtur në ndarjen e çmimit Booker në vitin 2022, ajo foli për ndikimin që ka pasur te ajo leximi i veprave të Ismail Kadaresë, përmes të cilave, si adoleshente, kishte filluar të kuptonte shpirtin e rezistencës shqiptare.
Intervistat që zhvillon janë pjesë e klubit të librave që drejton përmes platformës së saj Service95. Edhe pse një skeptik mund të thotë se ky klub është një mënyrë për të ndërtuar markën personale apo për të fituar nga lidhjet tregtare nëpërmjet rekomandimeve (siç kanë bërë edhe emra si Reese Witherspoon, Dakota Fanning, Natalie Portman apo vetë Fallon), në të vërtetë Dua e nisi klubin e parë të librave shumë më herët, në vitin 2019, bashkë me disa nga shoqet e saj të ngushta.
Ajo kishte filluar të publikonte rekomandime për libra në Instagram shumë përpara se të lindte Service95. Librat në bibliotekën e saj personale shpesh të dukshme në sfondin e intervistave përbëjnë një përzierje intriguese dhe të zgjuar, që variojnë nga The Story of Art Without Men e Katy Hessel, deri te Rap Capital i Joe Coscarelli.
Ndoshta, për shkak se ka dhënë qindra intervista gjatë karrierës së saj, Dua e kupton shumë mirë çfarë e bën një intervistë të jetë e mirë: ajo e di cilat pyetje u pëlqejnë artistëve, cilat i bezdisin, dhe çfarë u jep atyre hapësirë për të qenë të hapur dhe të sinqertë. Nuk dihet me siguri nëse është vetë ajo që i harton pyetjet përfaqësuesit e saj nuk janë përgjigjur – por një gjë është e qartë: ajo është gjithmonë e përgatitur. I njeh personazhet dytësorë, nën-temat dhe kontekstin dhe kurrë nuk zëhet në befasi nga ndonjë koment i papritur i autorit.
Përtej të gjithave, ndoshta ajo është një intervistuese e mirë sepse lexon ashtu siç do të donin vetë autorët që lexuesit t’i lexonin librat e tyre: me pasion, përkushtim dhe ndjenjë.
Ajo e zhyt veten në botën e veprave që lexon, me një vëmendje që lind natyrshëm pyetje të bukura dhe thelbësore. Sa më shumë të dëgjosh intervistat e saj, aq më shumë ndien dëshirën për të lexuar më shpesh, më thellë dhe më me kuptim.
E gjithë kjo dhe mos harrojmë, ajo ka shkruar edhe Houdini. Ndoshta është koha që Jimmy Fallon të fillojë të marrë shënime.
Burimi: The Guardian
Përkthimi: Katror.info
Përgatiti:
