Duket si skenë e dalë nga një makth — sidomos për ata që kanë frikë nga merimangat — por shkencëtarët sigurojnë se nuk po fantazonin kur, në një shpellë të errët në kufirin mes Greqisë dhe Shqipërisë, zbuluan një rrjetë gjigante që strehohet nga mbi 110 mijë merimanga.
Kjo strukturë kolosale, e ndërtuar në errësirë totale, shtrihet në më shumë se 1,000 këmbë katrorë, duke u renditur si një nga kolonitë më të mëdha të merimangave të dokumentuara ndonjëherë — ndoshta edhe më e madhja në botë, sipas një studimi të publikuar në Subterranean Biology, shkruan OGN Daily, transmeton Katror.info.
Dy specie merimangash bashkëjetojnë në këtë botë të zymtë e të lagësht: Tegenaria domestica, e njohur si merimanga shtëpiake me formë hinke, dhe Prinerigone vagans. Në shpellë u identifikua edhe një tufë jashtëzakonisht e dendur mushkonjash të vogla, të cilat besohet se përbëjnë burimin kryesor të ushqimit për koloninë.
Shkencëtarët u habitën kur panë këto specie në një mjedis nëntokësor, pasi zakonisht jetojnë në sipërfaqe. Edhe më befasues është fakti se ato duken se bashkëjetojnë pa konflikt — një rast pothuajse unik. Sipas tyre, T. domestica është “arkitekti” kryesor i rrjetës gjigante, ndërsa P. vagans përfiton duke jetuar në të.

Normalisht, merimangat më të mëdha do të prishnin ekuilibrin duke ngrënë ato më të voglat. Por ekipi shkencor beson se errësira absolute e shpellës mund të jetë arsyeja pse kjo nuk ndodh. P. vagans zakonisht qëndron krejt e palëvizshme derisa t’i afrohet gjahu, ndaj mund të jetë thjesht “e padukshme” për T. domestica.
Studiuesit po vazhdojnë hetimet për këtë koloni misterioze. Për momentin, ata kënaqen me idenë se natyra ende ruan “befasi të pafundme”. /Katror.info
Burimi: Only Good News Daily
Përktheu dhe përshtati: Katror.info

















