Sot, më 11 Shkurt, bota shënon Ditën Ndërkombëtare të Grave dhe Vajzave në Shkencë, një iniciativë e Kombeve të Bashkuara për të promovuar pjesëmarrjen dhe avancimin e grave në fusha shkencore, teknologji, inxhinieri dhe matematikë (STEM), shkruan Katror.info.
Pavarësisht kontributit të madh të grave shkencëtare në histori, ato ende përballen me barriera në arsimin dhe karrierën e tyre shkencore. Kjo ditë shërben si një thirrje për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të nxitur politikat që sigurojnë barazi gjinore në botën akademike dhe profesionale.
Në këtë kuadër, organizata të ndryshme, universitetet dhe institucionet shkencore zhvillojnë aktivitete dhe diskutime për të inkurajuar vajzat dhe gratë të ndjekin karrierën në shkencë dhe për të njohur rolin e tyre të rëndësishëm në inovacion dhe zhvillim global.
Ndërkaq kujtojmë se në vitin 2024, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) e Kosovës ka ndarë mbi 3,000 bursa për vajzat që studiojnë në fushat e Shkencës, Teknologjisë, Inxhinierisë dhe Matematikës (STEM). Fillimisht, ishte premtuar mbështetja për 1,000 vajza, por numri i përfitueseve ka tejkaluar pritjet.
Për vitin akademik 2024/2025, MASHTI ka shpallur konkurs për bursa në vlerë prej 1,000 euro për studentet në fushat STEM, me qëllim të mbështetjes së studenteve vajza që ndjekin studimet bachelor në universitetet publike të Kosovës.
Këto iniciativa synojnë të inkurajojnë pjesëmarrjen e vajzave dhe grave në fushat STEM, duke kontribuar në barazinë gjinore dhe zhvillimin e shoqërisë kosovare./Katror.info