Sot shënohet 15-vjetori i shpalljes së vendimit historik nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) në Hagë, e cila më 22 korrik 2010 konstatoi se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.
Me këtë rast, Ambasada e Republikës së Kosovës në Hagë ka publikuar një video-dokumentar reflektues, që rikujton procesin e këtij opinioni këshillëdhënës dhe rëndësinë që ai vazhdon të ketë në arenën ndërkombëtare.
“Në këtë përvjetor historik, ne me krenari paraqesim një dokumentar video special që reflekton mbi Opinionin Këshillimor të vitit 2010 të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës. 15 vjet më vonë, rëndësia e tij ligjore, politike dhe diplomatike vazhdon të formësojë diskursin ndërkombëtar”, thuhet në njoftimin e Ambasadës në rrjetin social Facebook.
Dokumentari përmbledh momente kyçe të procesit në GJND, duke ofruar një pasqyrë të qartë të argumenteve ligjore dhe diplomatike që kanë mbështetur të drejtën e Kosovës për vetëvendosje dhe pavarësi. Ai vjen si kujtesë për peshën ndërkombëtare të këtij vendimi dhe ndikimin e tij në afirmimin e shtetësisë së Kosovës në skenën globale.