Ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se qindra studentë të universiteteve publike do të përfitojnë mbështetje të re financiare për vitin akademik 2025-2026. Përmes një postimi, ajo ka theksuar se 1,907 studentë të nivelit bachelor dhe master do të marrin bursa elitare në vlerë prej 1,000 euro secili.
Sipas saj, këto bursa synojnë t’i fuqizojnë të rinjtë në rrugëtimin e tyre akademik, duke i inkurajuar të vazhdojnë me rezultate të larta dhe angazhim të pandërprerë. Nagavci ka nënvizuar se mbështetje të veçantë do të marrin edhe studentët me aftësi të kufizuara, duke theksuar rëndësinë e krijimit të kushteve të barabarta për të gjithë.
“Ne jemi këtu për t’i mbështetur fuqishëm, sepse besojmë se investimi në dijen është investimi më i mirë për të ardhmen,” ka deklaruar ajo, duke vlerësuar studentët për punën, përkushtimin dhe talentin që po e përfaqësojnë vendin.
Programi i bursave konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të cilësisë së arsimit të lartë dhe mbështetjes së ekselencës akademike në Kosovë./Katror.info











