Komuna e Prishtinës ka nënshkruar kontratë me vlerë 35 mijë e 400 euro për dekorimin e kryeqytetit për festat e fundvitit. Sipas njoftimit të publikuar në e-Prokurimi, dekorimi i këtij vitit i është dhënë kompanisë “Finesë Design SH.P.K”,
Kontrata është nënshkruar më 6 nëntor, derisa për këtë tender ishin paraparë 50 mijë euro, shkruan kallxo.
“Dekorimi i shtëpizave të Tregut Dimëror të Komunës së Prishtinës në bulevardin “Xhorxh Bush” me ndriçim led dhe simbolin e Tregut Dimëror. Logo e Vere N ‘Dimër në shtëpiza, nga materiali forex me dimenzione 30cm x 60cm, e mveshur me ndriçim dekorativ. Vërejtje: Në çmim duhet të llogaritet dekorimi me ndriçim led dhe poashtu simboli – Logo e Tregut dimëror në bazë të dizajnit të propozuar nga OE fitues” – thuhet në dosje.
Për këtë tender kishin aplikuar 3 kompani, por kompania me çmimin më të ulët ka fituar tenderin.Kompania fituese kishte aplikuar me 35 mijë e 400 euro. Ndërsa kompania “AGRI Bau” kishte ofertuar me 46 mijë e 800 euro dhe kompania “Adhurim Haraqia” me 46 mijë e 965 euro./Katror.info