Ambasada e Francës në Kosovë ka njoftuar se nesër (e martë), me fillim nga ora 18:30, në lagjen Pejton të Prishtinës, do të inaugurohet Instituti francez në Kosovë.
“Të martën, më 26 mars 2024, në orën 18:30, në Prishtinë, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, do të na nderojë duke inauguruar zyrtarisht Institutin francez të Kosovës, së bashku me të dërguarin special të Francës për Ballkanin, René Troccaz, ambasadorin francez Olivier Guérot dhe drejtorin e Institutit francez, Donato Giuliani, në prani të autoriteteve të larta të Kosovës dhe përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, bëhet me dije se themelimi i Institutit francez në Kosovë është një hap domethënës që tregon dëshirën e Francës për t’i thelluar lidhjet kulturore dhe gjuhësore me Kosovën.
Sipas njoftimit, ky institut, i lidhur me Ambasadën e Francës në Kosovë, do t’i mundësojë Francës ta forcojë praninë e saj jo vetëm në qendër të Prishtinës, por edhe në mbarë Kosovën përmes dy degëve të saj – në Prizren dhe në Fushë-Kosovë, ndërsa degët e tjera do të mund të hapen më vonë.
“Data e inaugurimit të Institutit francez të Kosovës u caktua simbolikisht gjatë Javës së Frankofonisë [ATMOSPHERE …2024] që po zhvillohet nga 21 deri më 27 mars 2024 në Prishtinë dhe Mitrovicë”, thuhet tutje në njoftim./Katror.info