Pas debutimit në vitin 2019 në Operën Baltike të Gdanskit, sopranoja Besa Llugiqi është rikthyer në të njëjtën skenë me rolin kryesor në operën “Thaïs” të Jules Massenet.
Për këtë produksion, që tashmë është pjesë e përhershme e repertorit, janë paraparë katër shfaqje gjatë vitit.
Dirigjenti Jose Maria Florencio dhe regjisori Romuald Wicza-Polojski udhëheqin produksionin.
Krahas Thaïs, ajo ka shkëlqyer në role si Donna Elvira, Lucia, Mimì dhe Violeta. Së fundmi, ajo ka interpretuar edhe rolin e Margaritës në operën “Faust” në Bullgari, në një produksion unik që transformoi skenën në një teatër kukullash.
Për kontributin e saj artistik në Teatrin e Operës Stara Zagora, Llugiqi është nderuar me medalje mirënjohjeje në 100-vjetorin e institucionit.
Të martën, publiku polak do të përjetojë edhe një herë magjinë e zërit të saj në Gdansk – qyteti bregdetar që vazhdon ta mirëpresë atë me duartrokitje./AP/Katror.info