Në prag të Ditës së Tokës, rajoni i Ballkanit Perëndimor dha një shembull frymëzues bashkëpunimi për një të ardhme më të gjelbër dhe të qëndrueshme. Kjo atmosferë pozitive e bashkëpunimit rajonal u reflektua në konferencën “Ura të reja për një të ardhme të qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor”, të organizuar nga The Balkan Forum.
Pjesëmarrës nga vende të ndryshme të rajonit, përfaqësues të institucioneve evropiane dhe organizata të shoqërisë civile u bashkuan për të diskutuar mbi veprimet klimatike dhe fuqizimin e brezit të ri në ballë të ndryshimeve.
Françeska Korançe, koordinatore e projektit nga Bulid Green Group NGO (BGG), theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkufitar dhe të rinjve si agjentë të transformimit. Ajo prezantoi rezultatet e projektit që përfshinë mbi 250 përfitues në aktivitete për zhvillim të qëndrueshëm dhe hartim politikash klimatike, si dhe trajnimin e 195 pjesëmarrësve në fusha të ndryshme të veprimit mjedisor.
Mbështetjen e fortë nga Bashkimi Evropian e konfirmoi edhe Christelle Philips nga EACEA, duke theksuar se për vitin 2029 janë ndarë mbi 40 milionë euro për projekte në fushën e klimës dhe rinisë në Ballkanin Perëndimor.
Nga Kosova, Agim Mazreku nga Ministria e Mjedisit ndau përpjekjet vendore për ndërtimin e një kuadri të qëndrueshëm klimatik, duke përmendur miratimin e Ligjit për Ndryshimet Klimatike dhe krijimin e Sekretariatit për Ndryshimet Klimatike. Ai nënvizoi rëndësinë e bazimit të politikave në të dhëna shkencore, për të garantuar vendimmarrje efektive dhe të informuar./EO/Katror.info
