Edicioni i 15-të jubilar i “Chopin Piano Fest Prishtina” do të hapet zyrtarisht të enjten, më 8 maj, në ora 20:00, me një performancë të veçantë nga pianistja e njohur polake Maria Ludwika Gabryś-Heyke.
Gabryś-Heyke, profesoreshë dhe Shefe e Departamentit të Muzikës së Vjetër dhe të Çembalos në Universitetin e Muzikës “Fryderyk Chopin” në Varshavë, sjell në Prishtinë përvojën dhe ndjeshmërinë e saj muzikore, të kultivuar përmes një karriere të suksesshme ndërkombëtare.
Ajo është laureate e disa çmimeve të para prestigjioze, përfshirë Konkursin “Ludwig van Beethoven” në Hradec nad Moravicí (Republika Çeke), “Edwin Fischer-Wettbewerb” në Lucernë (Zvicër), dhe “Chopin Golden Ring” në Ptuj, Slloveni.
Kjo ngjarje e veçantë realizohet në bashkëpunim me Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, në kuadër të shënimit të Ditës së Evropës.
Edhe këtë vit, festivali pritet të ofrojë një program të pasur me koncerte të muzikës klasike, duke sjellë në Prishtinë emra të njohur nga skena vendore dhe ndërkombëtare./Katror.info.