Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përmes Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), sot ka lansuar përmes platformës e-Kosova thirrjen publike për përkrahje financiare të Ndërmarrjeve Mikro, të Vogla dhe të Mesme (NMVM), për blerjen e makinerive të avancuara prodhuese dhe përpunuese, në vlerë prej 5,000,000 euro.
“Qëllimi i skemës së granit për blerjen e makinerive është që t’i ndihmojë ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme që të kontribuojnë në rritjen e prodhimit dhe përpunimit përmes zgjerimit të kapaciteteve të tyre prodhuese, rritjes së pjesëmarrjes së produkteve në tregun vendor dhe rritjes së eksportit. Kështu duke inkuadruar gradualisht prodhuesit vendor në zinxhirin global të vlerës, me rezultat në përmirësimin e bilancit tregtar, të cilat janë synimet tona përmes politikës industriale e hartuar dhe miratuar për herë të parë gjatë qeverisjes Kurti 2 dhe tani kjo strategji gjen zbatim”, tha ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.
Sipas saj përmes kësaj skeme të granteve gjithashtu synohet nxitja e rritjes së punësimit të denjë si dhe të inkurajohen bizneset që të kontribuojnë dhe të përfitojnë përmes ekonomisë së gjelbër, e që sipas saj, është edhe një prej objektivave të politikës industriale.
“Përparësi kanë ndërmarrjet mikro, të vogla e të mesme, me vlerë të shtuar në prodhim dhe me orientim në eksport”, shtoi ajo./RTK/Katror.info