Një raport i ri i Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP) ka gjetur se zhvillimi njerëzor global ka ngecur, por teknologjia e inteligjencës artificiale (AI) mund të jetë shpresa që nevojitet për të rimëkëmbur progresin dhe për të ngushtuar pabarazitë.
Raporti i titulluar “Çështje zgjedhjeje: Njerëzit dhe mundësitë në epokën e AI” thekson se përkundër kalimit të krizave globale si pandemia COVID-19, rritja në Indeksin e Zhvillimit Njerëzor (HDI) është më e dobëta që nga viti 1990, shkruan EuroNews, përcjell Katror.info.
“Ne kemi qenë në rrugën drejt një bote me zhvillim shumë të lartë deri në vitin 2030, por ngadalësimi i fundit është një kërcënim serioz për këtë vizion”, tha administratori i UNDP-së, Achim Steiner. Sipas tij, nëse progresi i vitit 2024 bëhet “normalitet i ri”, atëherë qëllimet mund të shtyhen për dekada.
Megjithatë, raporti e sheh AI-në si një mundësi të re për zhvillim. 60% e të anketuarve në 21 shtete besojnë se AI do të ndikojë pozitivisht në punësimin e tyre, duke krijuar role të reja që sot nuk ekzistojnë. Vetëm 13% shprehën frikë se AI do të zëvendësojë vendet e tyre të punës.
Në shtetet me zhvillim të ulët ose të mesëm, 70% e qytetarëve presin që AI t’u rrisë produktivitetin dhe dy të tretat planifikojnë ta përdorin atë në arsim, shëndetësi apo punë gjatë vitit të ardhshëm.
Raporti rekomandon një qasje me në qendër njeriun: AI nuk duhet të na zëvendësojë, por të na ndihmojë të mendojmë më mirë. Për këtë, janë të domosdoshme politika të drejta, si dhe zgjerimi i qasjes në energji dhe internet.
“Zgjedhjet që bëjmë tani do të përcaktojnë trashëgiminë e kësaj epoke teknologjike”, tha Pedro Conceição nga UNDP. “Me politika të zgjuara, AI mund të bëhet urë drejt njohurive dhe mundësive për të gjithë”./Katror.info