E përditësuar 10:34 –
Përpjekja për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës ka përfunduar sërish pa rezultat, për të 15-tën herë me radhë.
Të martën, deputetët u mblodhën për vetëm pesë minuta, por nuk arritën të formojnë Komisionin për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit. Nga 57 vota të hedhura, 56 ishin pro dhe një kundër, por nuk u arrit kuorumi i nevojshëm.
Seanca e radhës është caktuar për 15 maj, në orën 10:30.
***
Kuvendi vazhdon sot përpjekjen e 15-të për konstituim
Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se sot, me fillim nga ora 10:00, do të vazhdojë seanca konstituive, duke shënuar përpjekjen e pesëmbëdhjetë për konstituimin e legjislaturës së re, shkruan Katror.info
Pavarësisht zhvillimit të seancës së katërmbëdhjetë të dielën, procesi nuk përfundoi me sukses. Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, përsëriti edhe një herë thirrjen për subjektet politike që ende nuk kanë propozuar përfaqësuesit e tyre në Komisionin Zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, që ta bëjnë këtë sa më parë. Megjithatë, as kësaj radhe nuk pati propozime të reja.
Në mungesë të tyre, përbërja e deritanishme e komisionit, e propozuar në vazhdimet e kaluara, u hodh në votim dhe u miratua me 54 vota për, pa asnjë kundër apo abstenim.
Ndërkohë, një grup prej të paktën dhjetë deputetësh ka paraqitur një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese, lidhur me procedurën e votimit të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit, bazuar në nenin 113 të Kushtetutës së Kosovës.
Për të zhbllokuar situatën e krijuar, presidentja e Republikës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se më 15 maj do të nisë një seri konsultimesh me përfaqësues të partive politike. Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) tashmë kanë konfirmuar pjesëmarrjen në këto takime, të cilat synojnë konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit./Katror.info