Një delegacion i bizneseve nga Kosova, që përfshin edhe anëtarë të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, u prit në Departamentin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kjo vizitë u realizua si pjesë e pjesëmarrjes së delegacionit në Samitin e Investimeve SelectUSA 2025, ku po eksplorohen mundësitë për investime të drejtpërdrejta në SHBA, shkruan Katror.info.
Gjatë takimit, delegacioni kosovar pati mundësinë të prezantojë planet e tij të investimeve dhe të ndajë aspiratat për një përfshirje më të madhe në tregun amerikan. Diskutimet u fokusuan në zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik dypalësh, përfshirë rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe ndërtimin e partneriteteve të reja ndërmjet bizneseve amerikane dhe atyre kosovare.
Në një komunikatë për media, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka shprehur mirënjohjen e saj për Departamentin e Shtetit Amerikan për përkrahjen e vazhdueshme. Oda vlerësoi posaçërisht mbështetjen në drejtim të avancimit të njohjes digjitale të Kosovës në platformat globale teknologjike, duke e cilësuar këtë si një hap të domosdoshëm drejt integrimit të bizneseve të Kosovës në ekonominë digjitale ndërkombëtare.
Samiti SelectUSA përfaqëson një nga ngjarjet kryesore për promovimin e investimeve në SHBA, duke mbledhur investitorë globalë, liderë të industrisë dhe zyrtarë të lartë qeveritarë për të diskutuar mundësitë dhe strategjitë e zhvillimit ekonomik./Katror.info