Policia e Kosovës ka njoftuar për ndërprerje të përkohshme të qarkullimit në disa segmente rrugore gjatë datave 14 dhe 15 maj 2025, për shkak të vizitës zyrtare të presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Luis Santos da Costa, në Republikën e Kosovës, shkruan Katror.info.
Sipas njoftimit, këto masa janë të nevojshme për të mundësuar zhvillimin normal të agjendës së takimeve dhe aktiviteteve të personaliteteve të larta shtetërore, si dhe për të siguruar lëvizjen e lirë të delegacioneve sipas itinerarit të përcaktuar.
Policia e Kosovës bën të ditur se në bashkëpunim me autoritetet kompetente do të angazhohet për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike gjatë gjithë qëndrimit të zyrtarit të lartë evropian në vend.
“Do të ketë ndërprerje të përkohshme të trafikut në intervale të shkurtra kohore në disa segmente rrugore, me mundësi për riorientim të trafikut në rrugë alternative. Kërkojmë mirëkuptim nga qytetarët dhe pjesëmarrësit në komunikacion për këto masa të përkohshme,” thuhet në komunikatën zyrtare të Policisë./Katror.info.