Pastrimi i kontenjerëve të stërmbushur në kryeqytet ka filluar vetëm gjatë natës.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, njoftoi se aksioni për largimin e mbeturinave nga kryeqyteti do të niste të mërkurën në mbrëmje. Përmes një deklarate publike, ai bëri të ditur se janë mobilizuar të gjithë mekanizmat alternativë për të siguruar pastërtinë dhe mirëmbajtjen e hapësirave publike.

Gjatë ditës, në një intervistë për EO, kryeshefi i Ndërmarrjes publike “Pastrimi”, Petrit Reçica, tha se kompania ka mbetur pa naftë, për shkak të borxheve të mëdha ndaj furnitorëve dhe deponisë së Kosovës.
Dega e Lëvizjes Vetëvendosje ka fajësuar kryetarin e Prishtinës dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës për gjendjen e krijuar në kryeqytet për shkak të mos grumbullimit të mbeturinave.
Në një konferencë për media, asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Feim Osmani tha se Komuna e Prishtinës dhe ndërmarrja Pastrimi nuk po mund të koordinohen për ta zgjidhur situatën.
Sipas Osmanit komuna duhet sa më parë të zhbllokojë mjetet që ka grumbulluar nga pagesa e faturave, vlera e të cilave është rreth gjashtëqind mijë euro dhe të njëjtat t’i kthehen ndërmarrjes.
Në një deklaratë për media, kryetari Rama i ka quajtur të pavërteta pohimet se komuna i ka borxh kompanisë Pastrimi.
“Sonte, Kryeqyteti do të fillojë largimin e mbeturinave. Komuna e Prishtinës po përballet me një sabotim të hapur nga ndërmarrja Pastrimi, një kompani publike që, nën drejtimin aktual, është shndërruar në simbol të keqmenaxhimit dhe mungesës së përgjegjësisë. Deklaratat e menaxhmentit të ndërmarrjes Pastrimi, se Komuna e Prishtinës i ka borxh dy milionë e shtatëqind mijë euro, janë të pavërteta. Komuna e Prishtinës ka zero borxh ndaj ndërmarrjes Pastrimi,” ka thënë Rama./Katror.info