Në shtator të këtij viti shkollor, në Kryeqytet do të nisë faza e dytë e zbatimit të modelit të mësimit tërëditor, një qasje arsimore që synon të përmirësojë ndjeshëm cilësinë e arsimit dhe mirëqenien e nxënësve, shkruan Katror.info.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se këtij modeli do t’i bashkohen edhe gjashtë shkolla të tjera:
- “Zenel Hajdini” – Prishtinë
- “Ditët e Minatorit” – Kishnicë (model i plotë për klasat 1–9)
- “Ganimete Terbeshi” – Llukar
- “Pjetër Bogdani” – Prishtinë
- “Avni Rrustemi” – Mramur
- “Teuta” – Grashticë
Gjatë një vizite në shkollën “Pjetër Bogdani”, e cila është ndër institucionet që do të përfshihet në këtë fazë, u konstatua se renovimet janë përfunduar dhe po bëhen përgatitjet finale për fillimin e vitit të ri shkollor.
Sipas Ramës, modeli i mësimit tërëditor ofron një ambient të sigurt dhe të pasur për zhvillimin e nxënësve, duke përfshirë mësim të strukturuar gjatë gjithë ditës, shujta të ngrohta, tabela të mençura, ambiente të rinovuara dhe aktivitete të ndryshme zhvillimore.
“Ky model vendos në qendër mirëqenien dhe përparimin e nxënësve tanë,” ka theksuar Rama, duke shtuar se ky është një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të sistemit arsimor në Kryeqytet.
Zbatimi i modelit të mësimit tërëditor pritet të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme me përfshirjen graduale të më shumë shkollave në territorin e Komunës së Prishtinës./Katror.info