Prishtina po mirëpret edicionin e 25-të jubilar të Panairit Ndërkombëtar të Bujqësisë dhe Agrobiznesit – AGROKOS & Agroturizëm 2025, një ngjarje që po mbledh mbi 100 ekspozues nga Kosova dhe rajoni, duke e kthyer sallën “1 Tetori” në një qendër të inovacionit dhe bashkëpunimit në sektorin rural.
Me një fokus të veçantë këtë vit në promovimin e prodhimeve vendore, fuqizimin e eksportit dhe përkrahjen e sipërmarrjes rurale, panairi po shërben si një platformë e rëndësishme për ndërlidhjen e fermerëve, prodhuesve dhe partnerëve ndërkombëtarë. Theksi është vendosur gjithashtu në fuqizimin e rolit të gruas bujqëse në zhvillimin ekonomik të vendit.
Ndër pjesëmarrëset që po promovojnë produktet e tyre janë edhe Fitore Ukiqi dhe Mevlide Vrojolli, sipërmarrëse që me përkushtim po zhvillojnë biznese të suksesshme në përpunimin e produkteve bio dhe bimëve mjekësore. “Ky është panairi ynë i tretë, dhe çdo herë është një mundësi e mirë për të shfaqur produktet tona bio,” tha Ukiqi. Ndërsa Vrojolli shtoi se përmes këtij panairi krijojnë kontakte të reja dhe hapin rrugë të reja për bashkëpunime.
Ceremonia solemne e hapjes u shënua me pjesëmarrjen e personaliteteve të larta institucionale. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, theksoi rëndësinë strategjike të këtij sektori për zhvillimin ekonomik dhe rural të vendit. “Kosova po punon për një bujqësi moderne si një sektor i rëndësishëm për të ardhmen ekonomike. Qeveria ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm përmes subvencioneve dhe përkrahjes direkte,” tha ai.
Ministrja në detyrë e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari, vlerësoi panairin si një shembull të bashkëpunimit të suksesshëm mes bizneseve vendore. “Kemi 100 biznese që synojnë rritje dhe bashkëpunim. Objektivi ynë është përmirësimi i konkurrueshmërisë që çon në rritje të eksportit dhe zhvillim të qëndrueshëm,” deklaroi ajo.
Panairi AGROKOS & Agroturizëm 2025 mbetet i hapur për vizitorë më 27 dhe 28 maj, nga ora 10:00 deri në orën 16:00, duke ofruar një hapësirë të shkëlqyer për informim, rrjetëzim dhe promovim të agrobizneseve vendore në një frymë bashkëpunimi dhe zhvillimi të qëndrueshëm./RTK/Katror.info