Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës ka shpallur sot konkursin për pranimin e kadetëve të rinj në Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), për vitin akademik 2025-2026, shkruan Katror.info.
Konkursi do të jetë i hapur nga data 2 deri më 16 qershor 2025 dhe aplikimi bëhet vetëm online përmes platformës zyrtare në adresën: rekrutimi.fsk-rks.org/Apply.
Kadetët e përzgjedhur do të kenë mundësinë të ndjekin studimet në institucione prestigjioze brenda dhe jashtë vendit, përfshirë Qendrën për Studime Universitare të FSK-së dhe Universitetin Amerikan në Kosovë. Gjithashtu, të rinjtë do të mund të studiojnë në Akademinë Ushtarake në Shqipëri në drejtimet Teknologji Informative, Marrëdhënie Ndërkombëtare, Shkenca Komunikimi dhe Shkenca Ushtarake në fushën e mbrojtjes. Mundësi studimi ofrohen edhe në Akademinë Ushtarake Tokësore dhe atë Mjekësore në Turqi, në Akademinë Ushtarake/Universitetin e Zagrebit në Kroaci në drejtimin Lidership dhe Menaxhim Ushtarak, si dhe në Akademinë Ushtarake të Maqedonisë së Veriut.
Të drejtë aplikimi kanë qytetarët e Republikës së Kosovës të moshës nga 18 deri në 22 vjeç, ndërsa për kandidatët që synojnë të studiojnë në Turqi, mosha nuk duhet të jetë më e madhe se 21 vjeç në ditën e mbylljes së konkursit.
Ministria njofton se të gjitha informacionet rreth kushteve të konkursit, kritereve të pranimit dhe dokumentacionit të nevojshëm janë të publikuara në faqen zyrtare: mod.rks-gov.net. Për pyetje apo informata shtesë, aplikuesit mund të kontaktojnë në numrat 038-555584, 5690 dhe 5691, nga ora 09:00 deri në 15:00, ose përmes emailit: [email protected].
Ministria e Mbrojtjes thekson se konkursi është i hapur për të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim etnie, dhe inkurajon pjesëmarrjen e barabartë të të dy gjinive në radhët e Forcës së Sigurisë së Kosovës./Katror.info