Presidentja Vjosa Osmani ka caktuar datën 12 tetor 2025 për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta lokale në Republikën e Kosovës, shkruan Katror.info.
Në njoftimin e Presidencës thuhet se ky vendim është marrë pas një shqyrtimi të kujdesshëm të propozimeve të pranuara nga subjektet politike dhe pas analizës së afateve kushtetuese dhe ligjore për zhvillimin e këtij procesi.
“Caktimi i kësaj date synon të mundësojë përgatitje të plotë të procesit zgjedhor nga institucionet përgjegjëse, përfshirë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe institucionet e tjera relevante, me qëllim të respektimit të standardeve më të larta të administrimit zgjedhor. Kjo datë siguron hapësirën e nevojshme për organizimin teknik dhe logjistik për të gjitha format dhe procedurat e votimit sipas përcaktimit ligjor”, thuhet në njoftim.
Në fund, Osmani u ka bërë thirrje të gjitha subjekteve politike, organizative të shoqërisë civile dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës që t’i qasen këtij procesi me përgjegjësi të plotë, në funksion të garantimit të një procesi gjithëpërfshirës, të rregullt dhe të drejtë, në përputhje me parimet e demokracisë dhe sundimit të ligjit./Katror.info
Përgatiti:
