Akil Gjakova e ka përmbyllur pa medalje paraqitjen e tij në Kampionatin Botëror të Xhudos në Budapest, duke u ndalur në fazat e hershme të garës.
Pas një fitoreje në luftën e parë, Gjakova u mposht nga braziliani Daniel Cargnin në një përballje të fortë që zgjati më shumë se tetë minuta.
Ishte dënimi i tretë ai që i dha fund shpresave të tij për avancim, në një duel ku Akili nuk arriti të shfaqë formën e tij më të mirë, kryesisht për shkak të lëndimit në krah që e ka shoqëruar prej javësh.
Pas përfundimit të paraqitjes së Gjakovës në Kampionatin Botëror të Xhudos që po mbahet në Budapest, sytë e ekipit të Kosovës tani janë të drejtuar nga Laura Fazliu, e cila do të garojë nesër (të hënën) në kategorinë deri në 63 kilogramë.
Tani, shpresat janë te Fazliu e cila synon të vazhdojë suksesin e Kosovës në këtë Botëror, pas medaljes së argjendtë që Distria Krasniqi fitoi të shtunën në kategorinë deri në 52 kilogramë./Katror.info